Spitali Rajonal i Pejës ka katër ditë që në kabinetin radiologjik e ka shtuar edhe një pajisje më të avancuar diagnostikuese, atë të Rezonancës Magnetike.
Kështu Spitali dytësor i Pejës bëhet institucioni i dytë publik pas QKUK-së që posedon këtë aparat të MRI-së, raporton Klan Kosova.
Veçse, punimet e tjera në këtë hapësirë po vazhdojnë dhe se pritet të përfundojnë brenda javës së ardhshme, dhe më pas të funksionalizohet pajisja.
Megjithëkëtë, sipas radiologut të pensionuar Shemsedin Muhaxheri, që tanimë punon vetëm në kujdestari, vështirë që do të mbulohen nevojat në mungesë të këtij profili, që me kontratë të rregullt janë vetëm dy sosh.
Derisa, tregon se shpresojnë që do të ndihmohen nga Ministria e Shëndetësisë që së paku radiologët e QKUK-së të angazhohen në interpretimin e MRI-ve.
Ndaj edhe dy radiologët e këtij institucioni shëndetësor janë edukuar në QKUK sa i përket Rezonancës Magnetike, kurse një tjetër që e kishte bërë këtë aftësim më parë, tashmë ka 2-3 muaj që e ka ndërprerë marrëdhënien e punës me Spitalin e Pejës.
E, meqë ky spital rajonal mbulon 5 komuna përfshirë edhe vet Pejën, mesatarja e MRI-ve siç thotë radiologu Muhaxheri mund të jetë 5-6 në ditë, dhe njashtu edhe lista e pritjes do të jetë e gjatë.
Radiologu i pensionuar shprehet i shqetësuar për numrin e madh të referimeve për Rezonance pa i shtjerr mundësitë tjera diagnostike, teksa potencon se para shumë vitesh nuk ka qenë kjo praktikë. /Klankosova.tv
https://youtu.be/ip7GWp-ahOs
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.