Lojërat Olimpike “Rio 2016” kanë shënuar një rekord, sa iu takon numrit të sportistëve shqiptarë pjesëmarrës në këtë garë të rëndësishme. Shqipëria do të ketë gjashtë sportistë në olimpiadë, ndërsa Kosova do të ketë tetë.
Garat për kuqezinjtë do të nisin më 7 gusht, kur në peshëngritje do të garojë Evangjeli Veli në kategorinë deri në 53 kg. Dy ditë më vonë, do ta ketë radhën peshëngritësi Briken Calja që do të kërkojë të futet në zonën e medaljeve në kategorinë deri 69 kg. Po më 9 gusht, Sidni Hoxha do të garojë në disiplinën e notit 50 metra stil i lirë.
Garat në disiplinën në fjalë do të vazhdojnë deri më 12 gusht, raporton “Super Sport”.
Një ditë pas Sindi Hoxhës, më 10 gusht radhën e ka Nikol Merizajt më 100 metra stil i lirë. Dita më emocionuese për shqiptarët ka gjasa të jetë data 12 gusht, kur në pistë do të jetë Luiza Gega në garën 1.500 metra.
Katër ditë më pas, Gega do të provojë kualifikimin edhe në finalen e 3.000 metrave me pengesa. Më 12 do të provojë të kualifikohet në finale në kërcim së gjati Izmair Smajlaj, një nga sportistët më premtues të atletikës shqiptare, shkruan gazeta Shekulli.
Për delegacionin kosovar garat në olimpiadë nisin më 6 gusht, me notarët Lum Zhaveli në 50 metra stil i lirë dhe Rita Zeqiri në 100 metra shpinë. Garat në këtë disiplinë do të zgjasin deri më 10 gusht. Në të njëjtën ditë, pra më 6 gusht do të zhvillojnë garat e tyre çiklisti Qëndrim Guri dhe qitësja Urata Rama në kategorinë 10 metra pushkë në ajër.
Xhudistja Majlinda Kelmendi do ta kërkojë medaljen olimpike, më 7 gusht, në kategorinë 52 kilogramë, ndërsa një ditë më pas me të njëjtin synim do të zbresë në tapet Nora Gjakova, në kategorinë 57 kilogramë.
Më 12 gusht do të jetë radha e dy atletëve, Musa Hajdari në 800 metra dhe Vijona Kryeziu në 400 metra. Në rast kualifikimi, garat në këto disiplina do të zgjasin deri më 16 gusht.
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.