Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, deklaroi se për ta ishte i papritur vendimi i sotëm i kompanisë Sunny Hill për ta zhvendosur festivalin në Tiranë, meqë siç theksoi për emisionin Edicioni Special në Klan Kosova, edhe sot në mëngjes kanë qenë në kontakte me ta për ta gjetur zgjidhjen e duhur për të dalë nga ngecja që ishte krijuar.
Ai tha se si grup i asamblistëve fillimisht kishin vendosur unanimisht që ta përkrahnin atë rend ditë ku flitej për dhënien në shfrytëzim të parcelës 17 hektarëshe për 99 vjet, por që në seancë kur i është prezantuar dokumentacioni, u shpreh se kanë hasur në shumë parregullsi.
“Kemi kërkuar që të kompletohet dokumentacioni, sepse e kemi vlerësuar si marrëveshje shumë të dëmshme për interesin publik. Kemi kërkuar nga kryetari i komunës që temën e ndarjes se parcelës atë ditë ta tërheqë nga rendi i ditës dhe ta kompletojë dokumentacionin që të ketë një baraspeshë mes festivalit dhe interesit publik”.
“Ne kemi pasur frikë që me dokumentacion të parregullt kjo lëndë do të vonohej, dhe ashtu ndodhi, sepse vonesat nuk ndodhën as prej ministrisë, por vonesat dhe ndalesat burojnë nga ligji. Po flasim për një parcelë që i ka 17 hektarë dhe për një periudhë 99-vjeçare. S’do të vinte puna deri këtu sikur vërejtjet tona të merreshin parasysh”.
Ai për Klan Kosova po ashtu deklaroi se as MAPL ende s’ka nxjerr vendim për anulim për dhënien në shfrytëzim të parcelës për Sunny Hill, ndërsa tani, sipas tij, po na dalin fakte tjera të çuditshme.
“Si arritën që aq shpejt të merren vesh me Bashkinë e Tiranës. Në internet po ashtu po qarkullojnë disa fotografi që ngritin shumë dyshime që mbesin në vazhdën e supozimeve”, përfundoi Sveçla i VV-së.
●●●
EVSHKRIMI NGA
E V
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.