Shtetasi i Republikës së Kosovës, i nacionalitetit serb me iniciale M.V., dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës.
Rasti, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur të shtunën (1 nëntor) dhe për të njëjtin është njoftuar edhe KFOR-i, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar.
"Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë veprimet e saja hetimore, duke intervistuar dëshmitarë të rastit, përmes të cilëve janë siguruar informacione se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi", thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv
Në njoftim thuhet se vendi ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës (siç quhet pika zero -0-), në afërsi të zonës së Leposaviqit, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
“Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante dhe me organet e drejtësisë, ku në konsultim me prokuroren kompetente të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, është iniciuar rasti”, shkruhet në komunikatë.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.