Lajmet e fundit

E keni imagjinuar që do ta fitonit Nobelin për Kimi e jo Fizikë?
Jo, absolutisht jo. Në fakt, kam menduar të fitoj Nobelin kur isha fëmijë, por në kohën kur u bëra shkencëtar nuk ishte diçka që bënte pjesë në planet e mia apo s’ishte diçka për të cilën preokupohesha veçanërisht.
Karriera juaj pati shumë ulje e ngritje dhe rikthimi juaj në shkencë del të jetë heroik. Si erdhët deri te zbulimi?
Gjithmonë kam dashur të bëj një punë të zbatuar në vend të punës me fizikë të pastër. Kësisoj u rreka pas një projekti të mirë gjatë studimeve pasuniversitare që të provoj t’i shoh qelizat e gjalla në detajet e proteinave të tyre në një shkallë më të vogël sesa besohej të ishte e mundur. E provova një qasje ndaj kësaj si gjatë studimeve, ashtu edhe më vonë në laboratorin tim në Bell Labs. Arrita sadopak sukses, por jo saktësisht për imazhim të qelizave të gjalla. Pastaj lashë shkencën, por eksperimentet që bëra ndërkohë që isha në Bell Labs mbollën farat për një mënyrë tjetër për t’i arritur të njëjtat qëllime. Kështu, pas gjashtë vjetësh pune me mjete makinerike dhe të tjera të ngjashme, dhe duke dështuar në atë drejtim, kur u ktheva, mendova: “Çfarë mund të bëj sërish në shkencë?”. Doli që shkenca ecën përpara edhe kur ju jeni jashtë saj, prandaj kishte disa risi teknike që bënë një ide që e kisha më herët të bëhej e zbatueshme. Kështu, ishte mjaft e thjeshtë sa që miku im më i ngushtë dhe unë mundëm ta ndërtonim mikroskopin në dyshemenë e dhomës së tij të ndenjës brenda disa muajsh dhe me paratë tona. Ajo pra është puna që më solli çmimin.
Mund të na shpjegoni impaktin e zbulimit tuaj, posaçërisht në imazhim, diagnostikim e me radhë?
Po. Të gjitha këto gjëra kërkojnë kohë të gjatë përpara se të mund të shihni në pasqyrën e prapme se cili është ndikimi. Gjëja që bëra unë, e cila quhet lokalizim i një molekule të vetme, në thelb është aftësia për të parë molekulat individuale brenda një qelize, si lëvizin ato dhe për t’i parë në një shkallë shumë të vogël, në shkallën e vetë molekulave. Kjo është zbatuar kryesisht në shikimin e strukturës së qelizave, gjë që sipas mendimit tim nuk është edhe aq informuese sepse mikroskopët elektronikë dhe lloje të tjera mikroskopësh mund të zbulojnë informacione të ngjashme.
Ama, ka pasur ndikim të madh në kuptimin e mënyrës se si molekulat bashkohen për të krijuar komplekse më të mëdha brenda qelizës, dhe në thelb, unë dhe ju jemi të përbërë nga molekulat, dhe gjithçka që na përbën ka të bëjë me molekula që lëvizin, përplasen rastësisht dhe si bashkohen ato për të formuar gjëra gjithnjë e më të mëdha. Pastaj prej këtyre gjërave më të mëdha dalin qeliza, pastaj inde, pastaj njerëz dhe pastaj biosfera.
Pra, është emergjenca - koncepti fizik i asaj që del, shfaqet, krijohet - që kompleksiteti çon në nivele gjithnjë e më të mëdha të organizimit. Por, fillimi i atij procesi janë molekulat e vetme, dhe mjetet që kemi zhvilluar ne janë vërtet, vërtet të mira për këtë, aq sa jam bashkëthemelues i një kompanie për zbulim barnash, që përpiqet të kuptojë se si barna të ndryshme mund të ndryshojnë mënyrën se si molekulat bashkohen, sepse një numër sëmundjesh kanë të bëjnë vërtet me atë nivel molekular, me një mutacion të vogël që shkakton ndryshime në mënyrën se si molekulat lidhen. Kështu, nëse mund ta kuptojmë këtë dhe pastaj të rikthejmë fenotipin natyral, atëherë ndoshta kemi gjetur një kurë. Këto gjëra kërkojnë gjenerata e dekada përpara se të kuptojmë ndikimin, por do të thosha se ndikimi në imazhim të qelizave të gjalla është aty ku do të gjejë përdorimin më të madh.
[caption id="attachment_2662017" align="alignnone" width="899"]
Bashkëlauretatët e Nobelit për Kimi për vitin 2014, Eric Betzig (majtas), Stefan Hell (mes) & William Moerner (djathtas)[/caption]
Çfarë lloj krenarie ndieni kur e dini që puna juaj ndihmon në mjekësi dhe në fushat e tjera të jetës së njeriut?
Epo, siç thashë, mund të ndihmojë, apo jo? Një gjë që shkencëtarët dinë ta bëjnë shumë mirë është të shesin të ardhmen. Mundet, mund të ndodhë, mund të bëjë këtë, etj, etj, etj, apo jo? Në 99.9 për qind e rasteve kur shihni një histori për një përparim shkencor dhe përdoren ato fjalë, do të thotë që ata në të vërtetë nuk kanë asnjë ide se si kjo gjë do të rezultojë. Ata bëjnë shkencë, dhe përpiqen ta shesin atë me shumë zhurmë.
Kështu që shpeshherë shkencëtarët nuk mbahen përgjegjës në fund për: a e bëtë në të vërtetë atë që thatë se mund të bëhej apo jo? Por unë jam krenar që ka arritur deri aty ku ka arritur. Për mua personalisht, dhe mendoj për disa të tjerë, ka çuar vërtet drejt një ideje në themel ndryshe për mënyrën se si jeta është e organizuar.
Në shumicën e teksteve të biologjisë, gjithçka është shumë mekanike, psh. se si mitokondria dhe organelet e tjera në qelizë bashkëpunojnë dhe se si ndodh ndarja e qelizave. Duket si një orë, por nuk është fare si një orë. Është një grumbull grimcash të vogla që përplasen rastësisht me njëra-tjetrën dhe shkaktojnë gjëra të tjera që të ndodhin, si një gur i vogël që rrëshqet poshtë një shkrepe dhe nis një ortek, apo jo? Kështu funksionon realisht, dhe kështu është një mënyrë tërësisht ndryshe e të menduarit. Mendoj se kur mjaftueshëm biologë ta kuptojnë këtë, do të arrihet një efekt të thellë.
Gary Brown ju mësoi që të rrëfeni një tregim. Po si vendosët ta rrëfeni tregimin tuaj në shkencë dhe pse ashtu?
Po, por ajo që doja të thosha me këtë është se shumë nga diskutimet që ndjek si shkencëtar nga kolegët e mi janë jashtëzakonisht të thata, jashtëzakonisht teknike dhe nuk ka shumë racionalizim rreth motivimit se pse po bëjnë atë punë që po bëjnë. Unë dua të mbaj ligjërata shkencore që janë të kuptueshme, ku njerëzit mund të më kuptojnë si person.
Janë dy pjesë në të bërit shkencë: Pjesa logjike, ku duhet të jeni shumë i disiplinuar dhe shumë agnostikë ndaj rezultatit dhe thjesht të shihni se çfarë po ndodh. Por përpara se ta bëni këtë, duhet të vendosni se në çka do të punoni. Është një univers i tërë gjërash. Ai proces ka të bëjë me shpirtin dhe qëllimet dhe motivimet personale, apo jo?
E keni lexuar ndonjëherë librin “Zeni dhe Arti i Mirëmbajtjes së Motoçikletës” nga Robert Pirsig? Është një libër shumë i mirë që flet për një filtër cilësie, se si keni një mori inputesh në jetën tuaj, në mendjen tuaj, apo jo? Dhe duhet të vendosni cilave t’u kushtoni vëmendje, dhe cilave jo. Kështu e zbatoni një filtër cilësie. Epo, mendoj se hapi i parë që përbën një shkencëtar është të zbatojë një filtër cilësie për të menduar: çfarë është me vlerë, çfarë është e rëndësishme të punohet me të, si më motivon mua, si do t’i ndihmonte të tjerët, etj.Kështu që kur mbaj një fjalim, është shumë e rëndësishme që t’i bëj njerëzit ta dëgjojnë. Mënyra për të filluar një fjalim është motivimi. Pse po e bëni këtë? Pse është e rëndësishme?
Filloni me këtë dhe pastaj rrëfeni tregimin. Gjithmonë ka pengesa. Gjithmonë ka probleme. Duhet të jeni i sinqertë për to, apo jo? Njerëzit mund të familjarizohen me historinë tuaj pastaj. Ata përfundojnë duke përthithur shumë më tepër nga përmbajtja shkencore sepse e kuptojnë si një proces njerëzor në të cilin po kaloni. Kështu duhet të jenë prezantimet e mira shkencore.
Karakteri garues i prindërve tuaj ju ka formësuar dhe keni thënë se urreni të humbisni. Çfarë do të thotë fitorja për ju? Çfarë duhet të synojmë të fitojmë?
Për mua, të fitoj do të thotë që i kam kryer detyrat e shtëpisë - do të thotë që kam punuar, që kam punuar mjaftueshëm fort për të arritur qëllimin tim. Të fitoni është të arrini një qëllim. Ky është përkufizimi im i fitores. Mund të jetë çfarëdo, apo jo? Mund të jetë në fitore në një ndeshje tenisi apo çfarëdo tjetër, ose mund të jetë publikimi i një artikulli. Por, por për t’i arritur ato qëllime, ju hartoni një plan dhe kjo do të thotë që unë kam pasur një plan të mirë. Do të thotë që kam punuar për ta realizuar atë plan, gjë që më bën të ndihem krenar për veten. Por do të thotë edhe diçka tjetër: që këndvështrimi im për botën ishte i saktë. Që të arriturit atje do të thotë që të gjitha supozimet që i kam pasur për të shkuar atje kanë dalë të jenë të sakta. Ana tjetër është dështimi, apo jo? Ku ju mund të punoni shumë dhe në fund të mos arrini askund. Pastaj, duhet të ktheheni dhe të përsiatni: Mirë, pse? Çfarë nuk funksionoi? A ishte se nuk punova mjaftueshëm? Apo qenë të gabuara supozimet e mia për atë që po përpiqesha të bëja - dhe për mënyrën si të arrija atje ose për vlerën që kjo gjë e kishte në fund? Kësisoj kjo mund të jetë një përvojë mësimi, sepse mund të thoni: mirë, qartazi kam keqkuptuar diçka këtu. Më pas, shpresoj, mund të përsiatni dhe të jeni më pak budalla herën tjetër.
Ama, si të mësojmë nga dështimet pa u dekurajuar nga to?
Kjo nuk është e mundur. Nëse ju besoni që qëllimi juaj është të fitoni dhe nuk fitoni, do të ndiheni të dekurajuar për njëfarë kohe. Pyetja është: si të rimëkëmbemi, si ta përdorim dekurajimin në një mënyrë pozitive? Së pari si një përvojë mësimi, dhe së dyti si një nxitje për të tejkaluar dekurajimin. Si kur lashë Bell Labs me teknologjinë që kisha zhvilluar atje, ashtu edhe kur lashë kompaninë e babait tim, në të dyja rastet u ndjeva si dështak. Dhe në të dyja herët, ndodheni në një gropë të errët, sepse keni investuar vite përpjekjesh. Keni pasur shumë njerëz që mbështeteshin te ju, që llogarisnin tek ju, dhe i keni zhgënjyer edhe ata. Kështu, do të ndiheni i dekurajuar dhe do të jetë e vështirë, ama ju thjesht duhet të ngriheni dhe të filloni nga e para. Kjo është krejt çfarë mund të bëni.
Mësuat vlerën e punës së zellshme nga babai juaj. Po cila sjell më shumë suksesin? Puna, fati, apo insistimi?
Epo, dua të them, të gjitha këto luajnë rol. Shihni, ka njerëz që arrijnë sukses pa punuar shumë. Ndodh. Por është diçka e rrallë. Mund të vijë nga nepotizmi apo nëse ata fitojnë llotarinë apo diçka tjetër. Pra, ndodh. Por nuk është diçka në të cilën mund të mbështeteni. Sipas mendimit tim, nëse do të isha fatlum, ta zëmë duke e fituar lotarinë, kjo gjë nuk do të kishte pothuajse asnjë vlerë për mua krahasuar me botimin e një artikulli për të cilin jam krenar, sepse do të ndihesha sikur nuk e kam merituar vërtet. Thjesht kam pasur fat të mirë. Kështu që, puna e palodhur është absolutisht e nevojshme për llojin e suksesit që do të doja të arrija. Këmbëngulja gjithashtu është absolutisht e nevojshme, dhe kjo është arsyeja pse dështimi është kaq i vështirë. Të kryeni një doktoraturë nuk është se ju mëson shumë gjëra, ama ju mëson diçka, e që është këmbëngulja. Për të qenë në gjendje të shkruani një tezë dhe të merrni doktoraturën, duhet të punoni me të njëjtën gjë për pesë apo gjashtë vjet, deshët apo jo. Kështu e mësoni këmbënguljen. Por nëse qëllimi juaj është të keni sukses, atëherë si ia bëni me dije vetes suaj se kur është koha që të hiqni dorë? Unë e kam të ngulitur në ADN-në time që të mos dorëzohem kurrë, por në një pikë, nëse përballeni me një dështim, nuk mund të vazhdoni duke ecur në të njëjtën rrugë të dështuar. Andaj, vendimi më i vështirë ndonjëherë është ai se kur të dorëzoheni. Kjo është shumë më e vështirë se sa të vendosni se çfarë të bëni. Pra, puna dhe këmbëngulja... por fati gjithmonë ka një rol. Siç ka thënë Pasteur: “Rasti favorizon mendjen e përgatitur.”Kjo vlen për punën që më solli Nobelin. Dua të them, që i kisha të gjitha elementet aty përveç një apo dy që mungonin, por ishte një nga shumë gjëra që po i mendoja t’i bëj. Kështu, të gjitha këto gjëra janë të gjysmëformuara në mendjen tuaj, shumë ide, dhe pastaj më në fund gjeni një gjë që shërben si një çelës që futet në bravë dhe hap derën. Kështu që po, pata fat që e gjeta atë çelës. Megjithatë, isha vërtet i përgatitur për ta përdorur mirë atë çelës kur e gjeta.
Keni folur edhe për potencialin e papërmbushur të nënës suaj. Si e ka formësuar kjo empatinë tuaj për gratë që kërkojnë barazi, emancipim dhe mundësi?
Epo, përsëri, mendoj që të gjithë duhet të kenë mundësinë për të arritur potencialin e tyre, apo jo? Në rastin tim personal, kam qenë i martuar dy herë. Të dyja gratë e mia kanë qenë shkencëtare, dhe të dyja kanë pasur karrierat e tyre. Me të dyja kam fëmijë, dhe përpiqem të bëj 50 qindëshin tim të rritjes së fëmijëve, punëve të shtëpisë dhe gjithçkaje tjetër që përfshihet aty. Po, kam fëmijë që janë nga 15, 12 dhe 7 vjeç tani, kështu që një pjesë e konsiderueshme e ditës sime kalon duke i çuar në kampet verore duke gatuar darkën dhe gjëra të tilla. Eh po, kjo e afekton aftësinë time për të qenë edhe më i suksesshëm apo për të përparuar më shpejt në punë se sa realisht do të mundesha, por i lejon asaj të ecë me ritmin me të cilin duhet të ecë, apo jo? Mendoj që nëse do të jeni në një marrëdhënie me dikë që e doni, duket të ekzistojë një nivel barazie aty, ndryshe nuk do të funksionojë.
E keni përmendur idenë e Heinleinit mbi “grokun”. Çfarë e mirë vjen nga ky dualitet dashuri-urrejtje në proceset e punës dhe të mësuarit?
Për mua, “groku” do të thotë të kuptoni diçka aq thellë sa që bëhet pjesë e juaja, dhe ta doni dhe ta urreni në të njëjtën kohë, sepse mund të përqendroheni tek ajo aq shumë sa ndonjëherë mund t’ju dëmtojë. Keni dëgjuar për lakoren e Dunning-Kruger-it? Kur keni pak njohuri për diçka por mendoni se e dini se si qëndrojnë gjërat, e pastaj filloni të fitoni më shumë njohuri dhe bini poshtë në lug dhe arrini te ajo që quhet iluminim - sepse keni investuar kaq shumë në të. Iluminimi në lakoren e Dunning–Kruger-it është arritja e grokut. Pra, kur arrini në pikën ku me të vërtetë e kuptoni një gjë në mënyrë të plotë dhe të kompletuar. Gjëja trishtuese është që, për shumë nga ne, shpesh, jemi me të vërtetë në fillim të asaj lakoreje. Studiojmë diçka për një kohë dhe mendojmë që po e kuptojmë, dhe kështu, ato paragjykime na shtyjnë drejt vendimeve të gabuara, apo jo? Të gjithë bien pre e kësaj, sepse jo të gjithë punojnë mjaftueshëm të kuptojnë krejt atë që nevojitet të kuptohet. Prandaj, duhet të merrni vendime se ku do të investoni në mënyrë që të shtyni veten drejt lakores së Dunning-Krugerit, mirëpo është shumë frustruese kur jeni në atë pikë iluminimi, dhe keni punë me njerëz që ende janë në anën tjetër të lakores.
Sa thelbësor është arsimi publik në të ardhmen e një vendi? Në Caltech kuptuat që shkolla juaj publike në fakt ishte ndër më të mirat.
Mendoj që është jashtëzakonisht i dobishëm. Thelbësor mund të jetë ekzagjerim. Nëse ka diçka që më ka trishtuar më shumë se çdo gjë tjetër në jetë, është rënia e arsimit publik në Shtetet e Bashkuara. Po, shkolla ime publike është një ndër më të mirat në vend. Fëmijët e mi janë të moshës nga 32 deri në 7 vjeç, kështu që për një kohë mjaft të gjatë e kam përcjellë gjendjen e arsimit edhe personalisht, dhe kam parë një rënie të dukshme në mendimin kritik dhe në të mësuarit e mendimit kritik. Nuk mund të flas për pjesën tjetër të botës, mund të flas vetëm për ShBA-në, por është e tmerrshme dhe ndiej se kjo qëndron në thelb të shumë prej problemeve tona sot, shumë prej problemeve tona politike, procesit tonë të vendimmarrjes dhe gjërave si politika e energjisë apo mjedisi dhe gjëra të tjera. Shumica e kësaj vjen si pasojë e mungesës së mendimit kritik dhe shumë njerëzve që janë në anën e gabuar të lakores së Dunning-Kruger-it si rezultat i kësaj. Nuk e di se pse ka ndodhur kjo, por më shqetëson seriozisht dhe nuk kam një përgjigje. Është vërtet e çuditshme, sepse me internetin dhe me IA-në mund të arsimoheni me efikasitet të lartë pa paguar kurrë asnjë qindarkë për askënd. Nëse keni ndarë mendjen të shkoni në Khan Academy, apo kudo tjetër, ju mund të mësoni çfarëdo gjëje që doni [vetë], kështu që gjithçka duhet të fillojë me individin. Ama, përsëri, ekzistojnë shumë përpjekje që janë bërë për të fituar para duke shpërqendruar individin me kompjuterë, me mediat sociale dhe gjëra të ngjashme, andaj kjo krijon shumë varësi. IA-ja do ta bëjë edhe më varësi-krijuese, dhe kur ia keni ngulur sytë një ekrani dhe po merrni një input të caktuar, ju po e merrni vetëm një version të tregimit, por nuk po merrni një pikëpamje të balancuar e me të as aftësinë për ta integruar atë njohuri në mendjen tuaj dhe për të përsiatur rreth saj. Mendoj se kjo gjithashtu ka pasur një efekt të madh. Jam i prirë të mendoj që gati çdo ndryshim i madh shoqëror që ndodh në mbarë botën, shumë prej tyre që nga viti 1850, ka ardhur si rezultat i inovacionit teknologjik. Bota u ndryshua nga lëndët djegëse fosile, për të mirë. Jetëgjatësia mesatare në çdo vend në Tokë ishte më pak se 50 vjet në vitin 1850, dhe sot nuk ka vend në Tokë ku jetëgjatësia mesatare është nën 50 vjet. Shumë, shumë gjëra kanë ndryshuar, por ekzistojnë problemet klimatike, dhe probleme të tjera që vijnë si pasojë e saj, pastaj kontrolli i lindjes emancipoi gratë, por çoi edhe në shumë probleme të tjera gjithashtu. Të gjitha këto ishin inovacione teknologjike: automobili, avioni, të gjitha këto gjëra kanë ndryshuar mënyrën se si njerëzit jetojnë. IA-ja do të ketë një efekt të thellë në mënyrën se si njerëzit jetojnë, dhe disa prej tyre do të jenë të mira dhe disa do të jenë të këqija, por kjo është ajo për të cilën më mirë të bëheni gati, sepse do të ndryshojë gjithçka.
Raporti mes Inteligjencës Artificiale, mendimit kritik dhe shkencës në të ardhmen?
Kjo është një pyetje e vështirë, sërish. Do të jetë shumë joshëse të përdorim vetëm IA-në si një orakull. Inteligjenca artificiale do t’ju kuptojë më mirë juve sesa ju e kuptoni vetveten sepse IA-ja ka aq shumë njohuri për psikologjinë njerëzore dhe më gjerë. IA-ja do të jetë në gjendje t’ju çojë në secilën rrugë që njerëzit që ndodhen prapa IA-së duan t’ju çojnë. Mendimi kritik është vërtet mënyra e vetme për ta kuptuar që kjo po ndodh dhe për t’u përpjekur ta luftoni duke marrë opinione të tjera dhe burime të tjera informacioni. Ama, nuk e di, le të shohim se ku çon kjo; do të ketë shumë gjëra të mira prej saj, por edhe shumë e shumë gjëra të këqija.
Këshilla juaj për shkencëtarët aspirues në vendet ku shkenca është e nënfinancuar, si Kosova?
Së pari, nuk mendoj që shkenca është e nënfinancuar, mendoj që është e mbifinancuar, por ky është një diskutim tjetër për një ditë tjetër. Nuk mund të flas për Kosovën, por vetëm për Shtetet e Bashkuara, e cila është një shoqëri që e njoh. Mendoj që është shumë e rëndësishme për njerëzit të marrin një arsimim me bazë të gjerë. Mendoj që është e rëndësishme të kuptoni historinë, mendoj që është e rëndësishme të kuptoni shkencat, psikologjinë, matematikën. Nuk mund ta kuptoni vërtet botën dhe mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë pa pasur njohuri për të gjitha këto fusha. Kështu, unë thjesht i inkurajoj të rinjtë të thithin sa më shumë informacion nga sa më shumë disiplina. Përpiquni të kultivoni tek vetja sa më shumë kureshti për gjithçka. Pyesni gjithmonë “pse”. Pse është qeveria jonë kështu? Pse duket një motor makinash ashtu? Pse është çmimi i karburantit kaq? Pse ai person është i mërzitur me mua? Dua të them, nëse pyesni pse, kjo do t’ju çojë në një rrugë zbulimi për të kuptuar më mirë botën; dhe kur të mund të kuptoni botën më mirë, atëherë mund t’ia dilni më mirë të jeni ai që do të donit të ishit, dhe gjithashtu të ndikoni potencialisht në ndryshimin e drejtimit të cilin do të donit ta shihni shoqërinë që ta marrë.
https://www.youtube.com/watch?v=o6FINNvTdIM