Lajmet e fundit

Megjithatë, sipas sociologut Blerim Shabani, veprime të tilla lidhen edhe me mungesën e vetëdijes dhe informacionit për mënyrën se si duhet vepruar në kësi raste.
“Ka shumë individë që nuk janë të informuar se si ndodhin tërmetet, sa janë të rrezikshëm ato dhe cilat janë pasojat. Shpesh provojnë të bëjnë eksperimente, duke provuar të krijojnë video. Duhet të ketë informim të gjerë publik se si duhet të sillemi për të mbrojtur vetën dhe eventualisht të tjerët kur jemi në shtëpi, banesë, ambient të hapur, veturë apo mjete lëvizëse e hapësira tjera”, deklaroi ai.
Se duhet të punohet më shumë lidhur me informimin e shoqërisë për këtë çështje, e thotë edhe njohësi i çështjeve të emergjencave, Tahir Ahmeti, i cili sugjeron që edukimi shoqëror në Kosovë duhet të nisë qysh në shkollën fillore për t’ua mësuar nxënësve se si duhet të mbrohen, të paktën, në momentet e para të tërmeteve.
“Qytetarët duhet të kenë sa më shumë njohuri, të mbahen trajnime e simulime për t’u përgatitur se si duhet reaguar, kur duhet lëvizur për në vendet e sigurta e si duhet ruajtur qetësia, sepse ka viktima për shkak të panikut se njerëzit nxitojnë të dalin shkallëve dhe pësojnë. Pra duhet që sa më shumë qytetarë të kenë informacione dhe njohuri për tërmetet”, shprehet Ahmeti për KlanKosova.tv.
Mbase për shkak të numrit të vogël të tërmeteve, nuk ka fushata informuese, por Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, në uebfaqen e saj ka informacione të detajuara se si duhet mbrojtur qytetarët nga tërmetet, çfarë duhet të bëhet varësisht vendit dhe si e ku të bëhen lajmërimet.