Status-quoja në veri të Kosovës nuk siguron zgjedhje të rregullta, nëse ato mbahen sipas planeve të institucioneve në Prishtinë. Politikanët e kësaj ane nuk po e shohin si zgjidhje këtë proces, nëse nuk ka marrëveshje për targat paraprakisht.
Madje sipas Aleksandar Arsenijeviq nga Iniciativa Qytetare "Mbijetesa Serbe", nëse Lista Serbe fton për bojkot, serbët nuk do të dalin të votojnë.
"Tani në veriun e Kosovës nuk mund të zhvillohet as edhe një ndeshje futbolli, e lëre më të mbahen zgjedhjet. Nëse Lista Serbe fton për bojkot, mendoj se është vështirë që dikush edhe të kandidojë", tha ai për Klan Kosova.
Politikani shqiptar në veri, Skender Sadiku, ka edhe tjera dilema. Sipas tij, është vështirë të ketë siguri te qendrat e votimit, pas dorëheqjeve masive në polici, ndërsa as Komisionet Komunale Zgjedhore nuk janë funksionale.
Sipas tij, nuk është halli i vetëm zgjedhja e kryetarëve, por edhe funksionalizimi i asambleve komunale, për të cilat nuk parashihen procese zgjedhore.
Arsenijeviq thotë se partitë e vogla veriore nuk mund të kenë legjitimitet nëse fitojnë pa Listën Serbe në garë, kurse Sadiku dyshon në fuqinë e udhëheqjes, në rast se pakicat dalin në krye të komunave, në zgjedhje.
Megjithatë, Lista Serbe nuk i kishte bojkotuar zgjedhjet për kryetar komune më 2019, ani pse kryetarët nga ky subjekt kishin dhënë dorëheqje për shkak të taksës 100% ndaj produkteve serbe, të vendosur nga ish-qeveria Haradinaj.
https://www.youtube.com/watch?v=KHEIRCpfRf0
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.