Qeveria nuk po tërhiqet nga vendimi për targat ilegale të serbëve, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve.
Por ky nuk është rasti i parë i mospajtimit të politikanëve vendorë me aleatët e mëdhenj. Sidoqoftë, epilogët e temave të mëdha shpeshherë kanë përfunduar si kanë thënë këta të fundit.
Kosova harxhoi dy vjet duke mos e votuar demarkacionin me Malin e Zi. Pavarësisht kundërshtive të ashpra, në kohën e qeverisë Haradinaj, ai kaloi në mars të 2018-ës.
Po atë vit, kryeministri i asokohshëm nuk i dëgjoi ndërkombëtarët as për taksën 100 për qind që ua vuri produkteve serbe e boshnjake. Ky vendim u shfuqizua nga pasardhësi i tij, Albin Kurti, që vendosi reciprocitetin, të cilin e hoqi pasuesi i tij, Avdullah Hoti.
Rekomandimet e bashkësisë ndërkombëtare patën sukses edhe në votimin e Gjykatës Speciale më 2015, ani pse faktori i brendshëm politik ishte i përçarë në këtë temë.
Aktualisht janë disa çështje që kanë mbetur pezull, ani pse ka thirrje të forta nga jashtë që të zbatohen. Bëhet fjalë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
Sidoqoftë, ka raste edhe kur ndërkombëtarët e respektuan vendimin ndryshe të qeverisë në Prishtinë, si në rastin e ndalimit të mbajtjes së referendumit dhe zgjedhjeve serbe në veri.
https://www.youtube.com/watch?v=SuEj4S8nMEE
klankosova.tv
●●●
HSHKRIMI NGA
H.S
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.