Gëzim Halili është një tifoz i flaktë i futbollit. 29 vjeçari nga Gjilani është një koleksionues i qindra fanellave të klubeve të ndryshme të botës. Në një bisedë me “Gazetën Express”, tifozi i Dritës zbulon gjithçka rreth pasionit të tij të rrallë, me të cilin po ka më shumë kohë të merret sidomos në periudhën e koronavirusit
Secili prej nesh e posedojmë ose e kemi veshur së paku nga një fanellë të klubit apo lojtarit të preferuar, shkruan Gazeta Express.
Mirëpo, Gëzim Halili ka diçka më shumë.
Tifozi nga Gjilani është mjaft i veçantë në këtë aspekt.
29 vjeçari është një tifoz i flaktë i futbollit dhe në pronësi të tij janë qindra fanella të klubeve të ndryshme të futbollit botëror.
Ai flet për pasionin e tij, i cili kishte lindur shumë kohë më parë.
“Grumbullimi i fanellave ka filluar qysh në moshën 12 vjeçare, duke ju referuar fanellës së parë që e kam pasur. Ideja ka qenë e rastësishme. Dashuria për futbollin më ka bërë që të koleksionoj fanella të Kombëtareve, të klubeve të ndryshme botërore, jo vetëm atyre të famshme, por edhe të klubeve të ligave të dyta apo edhe të treta”, shprehet fillimisht Halili për “Gazeta Express”.

“Janë mbi 150 klube të ndryshme, fanellat e të cilave i kam në koleksion. Përveç ekipeve të famshme, kam fanella edhe të ekipeve si Hertha Berlin, FC Kaiserslautern, Celtic FC, Aston Villa, FC St Pauli, Boca Juniors, Darmstadt FC, Reading etj”, shton ai.
Fanellat që i mban në shtëpi Gëzimi kanë peshë të madhe.
Kjo pasi disa prej tyre i ka të nënshkruara pikërisht nga futbollistët që i mbajnë ato mbi supet e tyre.
“I kam disa fanella me nënshkrime. Ajo që e kam më në zemër është fanella e lojtarit danez, Peter Madsen, do të thotë e Kombëtares daneze gjatë Botërorit 2002, ku të gjitha lojtarët kishin nënshkruar në të, përfshirë këtu edhe legjendat si Martin Laursen, Christian Poulsen, Jon Dahl Tomasson. Më pas, në po të njëjtën fanellë kam arritur ta marr edhe nënshkrimin e Christian Eriksen”, tregon Halili, i cili është tifoz i flaktë i Dritës dhe i Juventusit.
Tifozi i veçantë kosovar nuk e ka ndërmend të ndalet.

Vetëm për të pasur sa më shumë fanella, është i gatshëm të bëjë sakrifica të pazakonta.
“Do të mundohem të kem gjithmonë e më shumë fanella. Nuk e kam ndërmend të ndalem. Nëse ka nevojë, do ta zgjeroj edhe shtëpinë”, shton Halili.
Tash, në këtë periudhë të koronavirusit, kur të gjithë jemi thuajse në vetëizolim, Gëzimi po ka kohë edhe më shumë të merret me fanellat.
Ato i ka shpalosur këto ditë në dhomën e tij.
“Sigurisht që tani kemi kohë më shumë për t’u marrë me hobi e me këso gjërash. Por, pavarësisht kësaj, çdo herë që futem në dhomë, i shikoj dhe mendoj se cila fanellë është në radhë të futet në koleksion”, përfundoi tifozi gjilanas. /Gazeta Express/









