Pas skandalit të dopingut në atletikë, Rusia rrezikon një tjetër disiplinë olimpike, notin.
Prestigjozja “Times” hap një tjetër kapitull investigimi për konsumimin e substancave të ndaluara në sport me kryefjalë Rusinë.
E përditshmja britanike i dedikoi 4 faqe kësaj çështjeje ku flitet për mjekun Sergei Portugalov, i cili është skualifikuar përjetësisht pasi i ka nxitur notarët të përdorin doping.
Personazhe të tjerë kyç në këtë skandal janë edhe një tjetër mjek, një trajner dhe dy atletë, emrat e të cilëve nuk janë publikuar ende. Në vitin 2009, dy notarë kanë rezultuar pozitivë me doping, por federata ruse nuk mori asnjë masë ndëshkimore, madje në këtë rast nuk veproi as federata ndërkombëtare.
Sipas “Times”, shumë dëshmitarë janë kërcënuar nëse do të publikonin të dhënat e tyre. Sipas statistikave, Rusia mban vendin e parë gjatë dekadës së fundit me 40 raste ku i fundit në radhë është ai i Yulia Efimovas, shkruan supersport.al
Notarja e specializuar në disiplinën e bretkosës rezultoi pozitive me meldonium, substancë e përdorur edhe nga tenistja, Maria Sharapova. Efimova që u pezullua me 16 muaj në vitin 2013 edhe për përdorim steroidesh, fitoi medaljen e bronzit në Londër 2012. Aktualisht ajo është e pezulluar dhe rrezikon skualifikimin e përjetshëm.
Pas publikimit të artikullit, federata ndërkombëtare ka reaguar menjëherë duke mohuar pozitivitetin e dy atletëve rusë në vitin 2009. FINA thekson gjithashtu se të gjithë garuesit do t’u nënshtrohen shumë testeve deri në olimpiadën Rio 2016 madje në disa raste numri i testeve shkon deri në 7.
Edhe federata ruse mohoi akuzat, ndërsa kreu i agjencisë ndërkombëtare antidoping, Craig Reedie u shpreh se së akuzat bazohen në fakte, atëherë situata është shqetësuese. Frika më e madhe që autoritetet e WADA-s kanë është implikimi i shtetit rus në këtë çështje.
Në shënjestrën e “Times” ka përfunduar edhe Kina, që akuzohet për dopimin e disa notarëve. Të dhëna të reja pritet të dalin në dritë, por skandali i ditëve të fundit mund të trondisë nga themelet një nga sportet më të ndjekura olimpike.
●●●
KSHKRIMI NGA
KLANKOSOVA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.