iPhone i ri, që do të quhet iPhone 7 ose iPhone 6S, do të ketë disa ndryshime në krahasim me iPhone 6. Apple pritet që lëvizjen e radhës për iPhone-n e ri ta bëjë në shtator, në të njëjtën kohë kur iOS9 ka shumë mundësi të dalë në treg.
Eksperti Ming-Chi Kuo, që shquhet për parashikimet e tij të sakta për prodhimet e Apple, ka ndarë disa parashikime, të cilat të përmbledhura janë publikuar edhe në blogun japonez të Apple.
Kuo beson se Apple do të bazohet në Apple Watch për materialin me të cilin do të prodhohet iPhone i ri. Sipas tij, do të përdoret i njëjti alumin, i serisë 700, që është përdorur për Watch Sport, që thuhet se është 60% më jetëgjatë se alumini i përdorur për iPhone 6.
Pritet që për herë të parë, përdoruesit të kenë një iPhone rozë. Kuo parashikon që Apple do të përdorë një ngjyrë të re dhe kjo do të jetë roza.
Gjithashtu, pritet që të ketë ndryshime të ngjyrave aktuale. Sipas Kuos, ngjyra ari do të anojë më tepër nga e verdha, si dhe grija e hapur, mund të bëhet më e mbyllur.
iPhone i ardhshëm pritet të jetë më i gjerë dhe më i gjatë me nga 0.15 milimetra në krahasim me iPhone 6. Gjithashtu, Kuo pret që celulari i ri i Apple të jetë edhe më i trashë për 0.2 milimetra.
Ndryshimi më i madh pritet me “force touch”, një teknologji e re e “touch”-it që është aplikuar për herë të parë në Apple Watch. Gjithashtu, Kuo parashikon që Apple do të rrisë cilësinë e kamerave, ku nga 8 megapiksel, do ta çojë në 12 megapiksel.
●●●
ABSHKRIMI NGA
A. BA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek tech & auto dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.