Klubi i Basketbollit Tirana bën një goditje të madhe në merkato. Bardheblutë afrojnë një prej emrave më të lakuar të koshit shqiptar. Gerti Shima rikthehet në shtëpi pas një eksperience të gjatë në Kosovë me disa klube.
Shtatlarti i lindur në kryeqytet i dha fund bashkëpunimit me Sigal Prishtinën duke përqafuar projektin e Tiranës që këtë sezon për herë të parë po merr pjesë edhe në Ligën Ballkanike.
Shima shprehet i lumtur për rikthimin në klubin ku hodhi hapat e parë të karrierës, duke theksuar se ky rikthim nuk është i parakohshëm pasi Tirana ka nevojë për mbështetje, në mënyrë që të rikthehet sa më parë në majat e basketbollit shqiptar.
30-vjeçari e pranon se për basketbollin shqiptar ka nisur një epokë e re dhe tashmë situata ka ndryshuar. Klubet janë më të interesuara për të bërë investime. Tirana po i nënshtrohet një procesi të gjatë ndryshimesh që janë një lajm i mirë për të gjithë basketbollin shqiptar.
Në vijim, shtatlarti bardheblu e pranon se ekipi ka nevojë për eksperiencë në arenën ndërkombëtare dhe këtë e tregoi edhe disfata e fundit në Ligën Ballkanike ku Tirana ishte shumë pranë suksesit por u dorëzua vetëm 30 sekonda nga fundi. Shima shton gjithashtu se objektivi kryesor është rikthimi i Tiranës te titulli kapion, trofe që skuadra kryeqytetase nuk e fiton që prej vitit 2012, raporton Supersport.al, përcjellë Klan Kosova.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.