Universiteti i Arizonës është bërë institucioni i shtatë nga nëntë universitetet elitare në SHBA që ka refuzuar të nënshkruajë një marrëveshje të propozuar nga administrata e Presidentit Donald Trump, e cila kushtëzon fondet federale me përmbushjen e disa kërkesave politike dhe ideologjike.
Në një deklaratë të publikuar nga universiteti u tha se nuk do të nënshkruajnë "Paktin për Ekselencë Akademike", duke theksuar përkushtimin ndaj lirive akademike, pavarësisë institucionale dhe financimeve të bazuara në meritë, transmeton klankosova.tv.
Refuzimi i Universitetit të Arizonës vjen pasi edhe gjashtë universitete të tjera e kanë refuzuar tashmë këtë pakt: Brown, MIT, University of Southern California, University of Pennsylvania, University of Virginia dhe Dartmouth College.
Organizata të njohura arsimore si Federata Amerikane e Mësuesve (AFT) dhe Shoqata Amerikane e Profesorëve Universitarë (AAUP) kanë shprehur shqetësim për marrëveshjen, duke e cilësuar si një tentativë për të blerë përkrahje ideologjike përmes fondeve publike.
Që nga fillimi i mandatit të dytë të Trump në janar 2025, administrata ka shkurtuar ndjeshëm fondet për kërkime shkencore, shpesh duke e lidhur këtë me qëndrime politike të universiteteve, si protesta pro-palestineze apo iniciativat për diversitet.
●●●
KKSHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.