Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka vazhduar gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt, e cila u vra më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërnicë.
Në seancën e sotme, që po e përcjellë gazetarja e Klan Kosovës, Sala Gashi, dëshminë e tij e ka dhënë Valon Lluka, personi që sipas Prokurorisë është i pari që Naim Murseli e kishte telefonuar pas ngjarjes.
Lluka ka treguar se Murseli e kishte kontaktuar nga dy numra të ndryshëm telefoni, fillimisht me mesazhe “Urgjent qele, urgjent Naimi”, e më pas i ka shkruar përsëri nga një numër tjetër i telefonit Qele, qele, qele”, transmeton Klankosova.tv
Ai ka thënë se mesazhin e fundit e ka ruajtur si fotografi dhe menjëherë ishte nisur drejt vendit të ngjarjes, por policia nuk e kishte lejuar të afrohej.
Dëshmitari ka shtuar se më pas kishte shkuar në stacionin policor ku ndodhej Murseli dhe e kishte ngushëlluar pasi kishte mësuar për vdekjen e Liridonës.
Ai konfirmoi se pas intervistimit në polici, së bashku me Murselin dhe një person tjetër, kishin shkuar në hotelin “Swiss”.
Rasti ishte inskenuar si grabitje, ndërsa për vrasjen akuzohen Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla./ Klankosova.tv
●●●
AHSHKRIMI NGA
Alberta Hyseni
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.