Lajmet e fundit

Xhevdet Bajraj
Halil Matoshi e vë Bajrajn në majën e hierarkisë poetike të Kosovës, duke i përmendur mënyrat se si penëmprehti nga Rahoveci e nxori poezinë e tij nga konvencat mbytëse të kohës, duke dalë sipër me një ndjeshmëri të re e të përçuar domosdo fuqishëm nga stili i tij kompakt, por goditës.
“Xhevdet Bajraj përket në traditën kosovare të poezisë, porse ndër mâ të arritshmet”, thotë Matoshi për Klankosova.tv.
“Pra ai asht i rënditun naltë në hierarkinë vlerore, nashta mâ s’nalti, të brezit të mesëm (poetët e brezit të ‘80ave të shekullit 20. Bajraj me sukses i âsht shmang patosit didaktik - patriotik, tue nxjerr poezinë nga danat e hermetizmit fillimisht e masanej edhe nga deklarativizmj patetik e kthye në shtrati e vet të parë, tue i dhânë asaj figurshmëninë e gjallë, dhe kuptimin alegorik".
Matoshi e konsideron Bajrajn poet që ka sjellë një sensibilitet të ri në Kosovë dhe në rrjedhat e humanizmit postmodern.
“Xhevdet Bajraj asht poet i sensibilitetit të ri në Kosovë, fillimisht në rrjedhat e poezisë së revoltës dhe masanej në ato të humanizmit postmodern. Poet i figurës së gjallë të vendlindjës dhe njerëzve të saj”.
“Bajraj e ka gdhend poezinë nga tepria përshkruese dhe ia ka heqë mitit shqiptar të Heroit, epistemën e glorifikimit historik. Ai estetizon dhunën tue qenë Mjeshtër i nji vargu të qetë e suptil. Vargu i tij âsht i heshtun si nji bombë!?”
Halil Matoshi dhe Xhevdet Bajraj
Zyrafete Shala, organizatore e Panairit të Librit në Ferizaj, e kishte pasur të ftuar Bajrajn dy herë në kuadër të këtij organizimi.
Për të, lajmi i vdekjes së poetit ishte tejet i trishtë, duke e lënë letërsinë shqipe të varfër me ikjen e tij, por gjithsesi përherë të pasur me trashëgiminë e lënë pas.
“Ikja e poetit Xhevdet Bajraj në botën tjetër e varfëroi letërsinë tonë dhe njëkohësisht na la një peng. Xhevdeti jo vetëm që ishte poeti shqiptar me zërin më të artikuluar poetik, por edhe nga poetët e rrallë që arriti t’i përjetësojë dhimbjet, vuajtjet dhe preokupimet e popullit shqiptar në letërsinë e përbotshme”, ka thënë Shala.
“Rrugëtimi i tij jetësor e solli përpara një sfide të jashtëzakonshme, të dëshmojë talentin e tij në një konkurrencë të vështirë, të krijojë në gjuhën e Markesit, Pazit, Maçados, Borgesit e kolosëve të tjerë të letërsisë. Mirëpo, Xhevdeti doli triumfues nga kjo sfidë dhe poezia e tij jo vetëm që u përqafua pa hezitim nga lexuesit meksikanë, por edhe iu ofrua mundësia që mjeshtërinë e tij në krijimin e fjalës së bukur ta ndajë me studentët e krijimtarisë letrare”.
Ka pikëllim në rreshtat e Shalës kur thotë që Bajrajt, pavarësisht veprës së tij të dëshmuar letrare, nuk iu gjet një vend në planprogramet shkollore të letërsisë shqipe.
“Fakti që Xhevdet Bajraj u vlerësua shumë në qarqet e një letërsie me vlera të dëshmuara gjatë shekujve, na bën që të kemi peng për vendin që i ofruam ne në letërsinë tonë të brishtë. Në planprogramet shkollore të letërsisë shqipe, përfshirë edhe të gjitha nivelet e studimeve universitare nuk zë vend asnjë poezi e Xhevdet Bajrajt, edhe pse ai kishte aq shumë vëllime të botuara në shqip që nga viti 1989 e këndej”.
Për Shalën, Bajraj barti përgjegjësinë e lartë për fjalën e shkruar, një trashëgim që tash mbetet te ne për ta ruajtur.
“Përveç poezisë me vlera të pakrahasueshme estetike, Xhevdeti na la trashëgim edhe virtytet e larta njerëzore, marrëdhëniet e sinqerta poet-lexues dhe mbi të gjitha përgjegjësinë e lartë për fjalën e shkruar.
“Xhevdeti ishte poeti i vetëm shqiptar që reflektonte si i tillë në çdo çast, ai ishte poet edhe kur shkruante poezi, edhe kur jepte intervista, edhe kur ishte në mesin e miqve, edhe kur buzëqeshte. Urtësia dhe qetësia që rrezatonte qenia e tij, do të mbeten të paarritshme nga të tjerët”.
Zyrafete Shala dhe Xhevdet Bajraj