Federata e Volejbollit të Kosovës ka bërë të ditur se ekipi i Kosovës në kategorinë e femrave ka kaluar në gjysmëfinalen e Kampionatit Ballkanik të volejbollit në rërë.
Ekipi i përbërë nga Dhuratë Sylejmani e Valmira Ramadani kanë mposhtur dyshen turke Ocakci Muge Ocakci dhe Bahar Toksoy me rezultat 2-0 në sete.
“Vashat kosovare ishin dominuese dhe vetmohuese në secilin aksion të ndeshjes dhe, të drejtuara nga trajneri Edon Ibrahimi, arritën suksesin e madh në Balikesir të Turqisë”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Ndërsa, ekipi i Kosovës në kategorinë e meshkujve janë eliminuar nga Moldavia me rezultat 2-0 në sete, ku janë përshëndetur nga gara.
“Federata e Volejbollit të Kosovës përgëzon ekipin e meshkujve për kompetitivitetin e treguar, teksa i uron fat dhe suksese ekipit në top formë të femrave”, ka shkruar FVK, transmeton Klankosova.tv.
Kujtojmë se sot gjatë ditës ekipi i Kosovës në kategorinë e meshkujve kanë mposhtur me rezultat zyrtar 2-0 ekipin serb, pasi ata refuzuan të dalin në fushë.
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.