Bashkë me kryediplomatin, Bujar Osmani, dhe zëvendëskryeministrin, Artan Grubi, shefi i qeverisë, Dimitar Kovaqevski, ka ardhur në Bruksel ta finalizojë hapin e pritur gjatë në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Këtu nga kjo e martë po shpallet hapja e negociatave, 17 vjet pasi vendi e mori statusin e kandidatit për t’u bërë pjesë e familjes shumëkombëshe. Kovaqevski krenohet se shteti që përfaqëson është kopje e unionit.
E derisa kompromisi ndaj Greqisë për ndryshimin e emrit nuk kishte sjellë këtë ditë, ishte tjetri përballë Bullgarisë që i dha vulën nisjes së këtij procesi dhe atë falë miratimit në Shkup të propozimit nga Franca.
Veçse në këtë të fundit, gjuha maqedonase, që Kovaqevski e foli gjithë kohën të martën në Bruksel, është e njohur ndërkombëtarisht.
“Gjuha maqedonase, jo vetëm se do të jetë e mbrojtur, por edhe do të promovohet në atë mënyrë që shumë vende dhe kultura do të mund të njoftohen me të”, u shpreh Kovaqevski.
Për këtë merr garanci edhe nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Dimitar, ju mund të llogarisni në mbështetjen time të plotë se marrëveshja do të përkthehet në gjuhën maqedonase, pa fusnota, pa asterikse dhe barazim të plotë me të gjitha gjuhët evropiane”, u përgjigj Von der Leyen.
Edhe në fund, i shoqëruar nga Osmani, Kovaqevski ua lë meritat të gjithë qytetarëve të Maqedonisë Veriore, por kujdeset t’i përmendë edhe politikanët paraardhës që nga pavarësimi, 31 vjet më parë.
https://www.youtube.com/watch?v=BnzkEn-i25Q&t=2s
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.