Plani Evropian, i dakorduar në Bruksel nga Kosova e Serbia, e lehtëson edhe funksionimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë.
Prandaj drejtori i sekretariatit të CEFTA-s, Emir Gjikiq, thotë se marrëveshja bazike i kontribuon edhe tregut rajonal.
"Nëse marrëveshja është ashtu siç është publikuar në faqen e Bashkimit Evropian, po, ka impakt pozitiv, që ta shpejtojë funksionin e marrëveshjes së CEFTA-s, e që do të sillte përfitime shtesë për të gjitha palët dhe do t'i bënte kompanitë më konkurruese në tregun rajonal e po ashtu edhe në tregun evropian. Pra, ky është përfitimi i shumëfishtë që mund të kemi", thotë Gjikiq për Klan Kosova.
Megjithatë, Kosova vazhdimisht ankohet për shkelje të ujdisë së CEFTA-s nga Serbia. Gjikiq thotë se pranojnë shumë të tilla, nga të gjitha palët.
"Ne vazhdimisht pranojmë ankesa nga të gjitha palët, për të gjitha palët. Varet nga rastet, më së shumti kanë të bëjnë me bllokimin e rrugëve transite të njëri-tjetrit. Ne kemi pranuar ankesë, për shembull, nga Kosova për Bosnjën, për një kamion që nuk është kthyer mbrapa, për shkak se ka pasur shenja për të cilat nuk janë pajtuar në CEFTA", shprehet ai.
Beogradi përbën pengesë edhe në ndryshimin e statusit në këtë marrëveshje, pasi ende përfaqësohet si UNMIK. Për këtë duhen të gjitha shtatë votat pro të anëtarëve në Komitetin e Përbashkët.
"Ne si sekretariat i CEFTA-s jemi trup teknik i marrëveshjes, kështu që nuk është në dorën tonë ta pranojmë Kosovën si shtet apo të bëjmë diçka. Në takimin e fundit të komitetit të përbashkët, është ngritur kjo temë nga Kosova, mirëpo nuk ka pasur konsensus te palët", deklaron Gjikiq.
Megjithatë, ai vlerëson se Kosova ka shënuar progres në tregtinë rajonale, pasi ndër vite e ka rritur eksportin me vendet anëtare të CEFTA-s.
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS.
https://www.youtube.com/watch?v=vALqfk2pm8c
●●●
ASHKRIMI NGA
A.B
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.