Këshilltari Special i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka inkurajuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të pranojë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Përmes një postimi në Twitter, Chollet njoftoi se me Kurtin ka biseduar përmes telefonit për këtë çështje të martën në mbrëmje.
“Një temë kyçe ka qenë partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, shkroi Chollet.
Zyrtari nga Uashingtoni, po ashtu, tha se me Kurtin ka biseduar edhe për çuarjen përpara të diskutimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe rëndësinë e kthimit të zyrtarëve serb në institucionet e Kosovës.
Në veri të vendit, në fillim të nëntorit të 2022-ës, dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, policët, gjyqtarët, prokurorët e kryetarët e katër komunave.
“Është evidente që dialogu po hyn në fazën e tij finale. Të paktën ndërmjetësuesit dhe përkrahësit e këtij procesi po mendojnë se kjo është faza finale. Gjërat po përshpejtohen dhe si rezultat i këtij presioni ndaj kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij për të bërë kompromis, po rritet e po intensifikohet po ashtu”, tha për Klan Kosova, Toby Vogel nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit, selia në Bruksel.
Pos kësaj Vogel, thotë se situata po komplikohet pasi që me propozimin evropian për ujdi Kosovë-Serbi, njohja reciproke është hequr nga tavolina. Përderisa, çështja më aktuale para se të flitet për planin është krijimi i Asociacionit.
“Më duket se në tavolinë insentivat për Prishtinën nuk janë të mjaftueshme që ajo të pajtohet me nisjen e themelimit të Asociacionit. Kjo është çështja reale. Dikur diskutohej për eventualisht njohje, tani po diskutohet një tip ujdie sikur e dy gjermanive, pa njohje”, shtoi Vogel. /Klankosova.tv
https://www.youtube.com/watch?v=_NkmunC8Nlo
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.