Volejbollistët e Sllovenisë për herë të parë në historinë e tyre kanë arritur në finale të Kampionatit Europian, pasi në gjysmëfinale kanë triumfuar ndaj Italisë së fuqishme 3:1 (25:13, 23:25, 25:20, 25:20).
Para këtij rezultati të mrekullueshëm, sllovenët e fascinuan botën e volejbollit kur në çerekfinale triumfuan ndaj Polonisë, kampionëve aktualë botërorë, me 3:2, transmeton Klan Kosova.
Me fitoren ndaj nënkampionit botëror Italisë, Sllovenia e ka siguruar medaljen e saj të parë në histori. Kjo është pjesëmarrja e tyre e gjashtë në Europian, e pesta me radhë, kurse plasmani më i mirë i tyre ishte vendi i nëntë, ndërsa para dy viteve ishin të 13-tët.
Këtë vit, nën drejtimin e trajnerit italian Andrea Giani, volejbollistët sllovenë luajnë në mënyrë fantastike. E kanë fituar Ligën e Europës pa asnjë humbje, kurse tash janë në finale të Kampionatit Europian, pasi i kanë mposhtur kampionët dhe nënkampionët aktualë botërorë.
Në finalen që luhet nesër, të dielën, në 19:45, Sllovenia do të luajë kundër fituesit të ndeshjes mes nikoqires Bullgarisë dhe Francës, fitueses së Ligës Botërore.
https://www.youtube.com/watch?v=gq96lXB9e_k
●●●
KKSHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.