Personi i dyshuar për vrasjen e rep artistit Takeoff, Patrick Xavier Clark ka kërkuar nga gjyqi ndihmë financiare, pasi që sipas tij, ai nuk mund të përballojë pagesën e një hetuesi privat.
Sipas dokumenteve ligjore, të marra nga TMZ, transmeton Klankosova.tv. Clark kërkon një shumë fillestare prej 5 mijë dollarësh duke shtuar se ai është financiarisht i paaftë për të mbuluar shpenzimet e tij.
Dokumentet thonë se familja e Clark ka shpenzuar tashmë të gjitha paratë e saj për avokatin e tij, i cili pranoi të punonte me një tarifë të reduktuar për të.
Ai thotë se është e nevojshme të shtohet një hetues privat në mbrojtjen e tij në mënyrë që "të hetojë siç duhet rastin dhe të përgatitet në mënyrë efektive për gjykim”.
Clark ishte arrestuar dhe akuzuar për vrasjen e rep artistit dhe aktualisht po mbahet me një garanci prej 2 milionë dollarësh.
Dokumentet thonë se Clark do të vendoset në arrest shtëpiak nëse lirohet dhe atij do t'i ndalohet të mbajë armë zjarri ose ndonjë armë vdekjeprurëse dhe duhet të përmbahet nga përdorimi i marihuanës ose ndonjë substance të kontrolluar pa recetë mjekësore.
●●●
LNSHKRIMI NGA
Labinot Nimani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek prive dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.