Me pesë konkluza të shkruara ka përfunduar takimi gati tre orësh mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës atyre që janë me Listën Serbe.
Nga Rashka ku u mbajt tubimi së pari ju kërkua Bashkimit Evropian që të reagojë siç thuhet në mënyrë urgjente ndaj autoriteteve kosovare për t’ju mundësuar, siç thonë lëvizjen e lirë personave që mbajnë vetura me targa KM.
Nëse kjo nuk ndodh Vuçiq, paralajmëron masa të ashpra, që i quan politike ndaj Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Ne dje në Bruksel e kemi dërguar propozimin tonë të fundit rreth targave që është më shumë se kompromis nga ana jonë. Nëse këtë nuk e pranojnë, unë s’mund të them se do ketë reciprocitet sepse në statusin politik e juridik nuk jemi të njëjtë e as që mund të jemi. Por do të aplikojmë masa të cilat do të bëjnë përgjigje të fortë dhe domethënëse, asaj pale që e shfrytëzon 'forcën dhe aparatin represiv' që të maltretojë qytetarët tanë, pikë së pari në veri të Kosovës”, shtoi presidenti serb.
Kërkesa e dytë është krijimi i menjëhershëm i Asociacionit, tek pas kësaj sipas Vuçiqit, serbët mund të kthehen në institucione kosovare në veri e të marrin pjesë në zgjedhje.
Më 23 prill pritet që në Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq e veri të Mitrovicës të mbahen zgjedhjet për pushtet lokal.
Presidenti serb thotë se shteti i tij s’ka dorë në vendimin e Listës Serbe që të bojkotojë këtë proces zgjedhor. Kjo situatë sipas tij, i konvenon kryeministrit të Kosovës.
“Kurti në këtë insiston sepse pastaj thotë se ata deshën ta themelojmë Asociacionin e Komunave Serbe, por Mitrovica, Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku nuk janë më komuna serbe dhe nuk duan të hyjnë në Asociacion”, tha Vuçiq.
Në tubim morën fjalën disa përfaqësues politik e të strukturave sportive serbe në Kosovë.
Një kërkesë tjetër ishte dhe tërheqja e njësive speciale kosovare nga veriu Vuçiq përsëriti “se nuk do lejoj atë që e quan përndjekjen e serbëve nga Kosova”. Disa herë i komentoi zgjedhjet e 23 prillit.
“S’keni çka, Kurtin, do ta keni kryetar të komunës në Mitrovicë. Në fund të fundit mirë është që gjërat të jenë të dukshme dhe që askënd më mos ta mashtrojnë e të mos aktrojnë e të thonë se ata janë shteti më demokratik. Nënë moj, ata janë shteti më demokratik në Evropën Juglindore, ku për tri tenxhere të mëdha e dy të vogla, tentohet të vritet njeriu”.
Takimi tre orësh i Rashkës, nxori dhe vendimin për ndarjen e 28 milionë euro shtesë në përkrahje të serbëve të Kosovës, nga qeveria e Beogradit.
https://www.youtube.com/watch?v=0jocU-Xa2mQ
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.