Autoritetet kosovare të sigurisë dhe drejtësisë janë duke hetuar lëvizjen e disa makinave zyrtare më targa të Serbisë, që besohet se i takojnë sistemit shëndetësor të këtij shteti, që kaluan në pikën kufitare Jarinje në periudhën 23 deri më 25 dhjetor të vitit që shkoi.
Me to dyshohet se u futën ilegalisht në Kosovë 100 doza të vaksinës kundër koronavirusit. Ato ishin injektuar në dhjetra veta, në Leposaviq e Mitrovicë të Veriut, njofton Klan Kosova.
Këto hetime u konfirmuan për Klan Kosova nga burime të sigurisë përderisa në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës thanë se mund të ketë edhe ndjekje penale në lidhje me rastin.
''Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që të grumbullojë informata për këtë çështje, në drejtim të veprave penale “Kontrabandimi i mallrave” nga neni 311 dhe “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës''.
''Varësisht nga rezultatet e hetimit, nëse vërtetohet që ka prova të mjaftueshme atëherë Prokuroria Themelore në Mitrovicë do të nisë edhe hetimet penale për këtë çështje'', thuhet në deklaratë.
https://youtu.be/TshMFY_I8Fk
Pavarësisht kësaj, Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq e përfshiu sërish Kosovën në planin e tij për vaksinim me dozën e dytë të Pfizer-Biontech, si dhe disa vaksinave tjera, siç është një e Kinës, shtet ky nga i cili Beogradi pranoi një milion doza.
Mes tjerash Vuçiq tha se është gati që si President i Serbisë të ofrojë vaksina edhe për popullatën shumicë shqiptare të Kosovës.
E sot, Aleksandar Vuçiqit i reagoi kryeministri në detyrë kosovar, Avdullah Hoti, në një prononcim për Klan Kosova.
''Jemi ankuar në Bruksel. S’kemi nevojë për vaksina të Kinës e të Rusisë'', u shpreh ai.
Hoti po ashtu foli edhe rreth planit që ka qeveria e tij për vaksinimin antikoronavirus.
klankosova.tv
●●●
KKSHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.