Si xhudistja numër një në renditjen botërore për kategorinë deri në 48 kg i takoi ta kalojë pa luftë raundin e parë të Kampionatit Evropian që po zhvillohet në Portugali.
Në të dytin u ndesh me italianen Giorda të cilës i bëri fort presion duke e detyruar gjyqtarin t’i japë tre shido kundërshtares.
Në çerekfinale xhudistja pejane u përballë me izraeliten Shira Rishoni të cilën e mposhti lehtë.
Veçse i bëri waza-ari e mbajti në shpinë edhe për dhjetë sekonda shtesë për të fituar me Ippon.
Në gjysmëfinale xhudistes Giliazova i shfaqi potencialin që ka. Ashtu si italianes ia bëri edhe ruses duke e detyruar të marrë tre shido për të fituar Krasniqi me Ippon.
Në finale e priti ukrainasja që është dy herë kampione e Botës dhe Evropës, porse kjo përballje nuk ndodhi, sepse ukrainasja Daria Bilodid për shkak të lëndimit nuk u paraqit fare.
Pas dy medaljeve të arta në Evropian për gjeneratën U23, tani Distria Krasniqi u shpall kampione e Evropës për kategorinë e seniorëve.
Nora Gjakova në anën tjetër ka fituar medaljen e bronztë, sepse mposhti gjeorgjianen Liparteliani.
Gjakova të premten raundin e parë të kategorisë deri në 57 kg e kaloi pa përballje, në të dytin fitoi ndaj spanjolles Ubasart, kurse në gjysmëfinale u mposht nga portugezja Moteiro.
Po në këtë kategori garoi edhe Flaka Loxha që humbi në përballjen e parë.
Kosova në këtë evropian përfaqësohet me gjashtë xhudistë. Tre përfunduan sot garën, kurse Akil Gjakova dhe Laura Fazliu përballen të shtunën, ndërsa të dielën Loriana Kuka.
https://www.youtube.com/watch?v=hibzbFkGfjs&t=3s
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.