Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka reaguar lidhur me zhvillimet e sotme në Kuvendin e Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Në reagim, MAPL ka theksuar se mbledhja e sotme ngre shqetësime serioze lidhur me legalitetin dhe legjitimitetin e organeve të zgjedhura të Asociacionit.
“Edhe pse Ligji për Vetëqeverisje Lokale, përkatësisht nenet 31 dhe 32, përcaktojnë qartë të drejtën e komunave për t’u organizuar dhe bashkëpunuar në kuadër të asociacioneve për mbrojtjen e interesave të përbashkëta, ky organizim duhet të jetë mbipartiak dhe në shërbim të të gjitha komunave në mënyrë të barabartë”.
Sipas kësaj ministrie, procesi i sotëm në fakt shkel mbi këto parime dhe rregulla.
“Ai, fatkeqësisht, u karakterizua nga një sërë shkeljesh procedurale dhe devijimesh nga normat që rregullojnë funksionimin e Asociacionit. Për më tepër vu re një shmangie e qartë nga respektimi i procedurave të përcaktuara me Statutin dhe Rregulloren e Punës, duke cenuar kështu legjitimitetin dhe integritetin e vendimmarrjes”.
“Me theks të veçantë shqetësues është fakti për përpjekjet e hapura për t’i dhënë Asociacionit një ngjyrim politik partiak, në kundërshtim me frymën e ligjit që e përcakton dhe sanskionon qartë natyrën e këtij institucioni.
Madje, ekzistojnë indikacione serioze për përpjekje të organizuara të përjashtimit të kryetarëve të komunave të udhëhequra nga një subjekt i caktuar politik, çka përbën cenim të parimit të përfaqësimit të barabartë dhe gjithëpërfshirës”.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal thekson se do t’i shqyrtojë me seriozitet të plotë zhvillimet e sotme, legjimitetin e vendimeve si dhe tutje të vlerësojë raportin e bashkëpunimit me Asociacionin, transmeton Klankosova.tv.
“Çdo bashkëpunim duhet të bazohet në parime të qarta të ligjshmërisë, gjithëpërfshirjes dhe paanshmërisë politike”, thuhet më tej në reagim, transmeton Klankosova.tv.
https://klankosova.tv/shume-mospajtime-per-kryesine-e-re-te-asociacionit-te-komunave-video/
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.