Një 72-vjeçar dhe nj 64 vjeç janë arrestuar në Shqipëri, njëri në Fier e tjetri në Kurbin, nën dyshimin se kishin ndezur zjarr qëllimshëm.
Policia ka bërë të ditur se 72-vjeçari në Kurbin ndezi zjarrin në afërsi të tunelit të Shkopetit pas një mosmarrëveshjeje me banorët, derisa 64-vjeçari në Fier dyshohet se ndezi zjarr për të djegur mbeturinat e tij, por që përfshiu edhe 225 rrënjë ulliri, transmeton Klankosova.tv.
Më poshtë gjeni rastet e plota:
Kurbin
Ndezi zjarr në një zonë të mbrojtur në Shkopet, si pasojë e konflikteve me banorët; kapet dhe procedohet penalisht 72-vjeçari.
Si rezultat i punës hetimore të kryer nga strukturat e Komisariatit të Policisë Kurbin, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, u bë identifikimi, kapja dhe procedimi penal i shtetasit Gj. Gj., 72 vjeç, banues në Shkopet, Kurbin.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se ky shtetas, për shkak të konflikteve të mëparshme me familjarë dhe banorë të tjerë të zonës, ka ndezur zjarr në dalje të tunelit të Shkopetit, më datë 19.07.2025. Zjarri vijon të jetë aktiv dhe është përhapur në zonat përreth, duke rrezikuar banesat dhe pyjet në territorin e Matit dhe Mirditës.
Gjithashtu, ai dyshohet si autor i zjarrvënies së qëllimshme edhe më datë 25.07.2025, në të njëjtën zonë.
Materialet procedurale në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje apo veprimtarie të paligjshme që dëmtojnë pasuritë natyrore dhe rrezikojnë jetën e banorëve.
Fier
Vihet në pranga autori i dyshuar i zjarrëvënies në fshatin Frakull të Vogël.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të tjera procedurale, të kryera menjëherë pas njoftimit për vatër zjarri në fshatin Frakull e Vogël, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin N. K., 64 vjeç, banues në fshatin Frakull e Vogël.
Nga hetimet dyshohet se si pasojë e përhapjes së flakëve të zjarrit që ky shtetas ka ndezur në tokën e tij, për djegien e mbeturinave, janë djegur 225 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetasi tjetër.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre me qëllim apo nga pakujdesia, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.