Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, bëri të ditur se shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave është i domosdoshëm pasi janë plotësuar krejt kushtet ligjore. Megjithatë, në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ai nuk tregoi nëse do të ketë shtrenjtim, ulje apo çmimi i energjisë do të mbetet i njëjtë.
I shqetësuar me këtë u shpreh deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, i cili tha se priste se do të ketë shqyrtim për uljen e tarifave. E një qasje më optimiste karshi këtij veprimi ka një koleg i tij nga pozita.
“Nga perspektiva juaj, në këtë fazë çka ju po shqyrtoni është rritja e kostos operative, e cila jo domosdoshmërisht mund të përkthehet në shtrenjtim të energjisë në rast se ka subvencione. Të kemi të qartë këtë, juve ju takon të vlerësoni koston e operimit, apo ta korrigjoni nëse ka pasur devijime nga ajo çka keni planifikuar vitin e kaluar”, tha deputeti i VV-së Armend Muja.
Ndërkohë, Mimoza Kusari-Lila u mor më shumë me bordin e ZRrE-së për të cilët pati plot kritika.
“Është dashur me pas një reflektim në raport me masat që ndërmarrën. Një prej problemeve kryesore sot në sektor është gjendja financiare e sektorit të energjisë, element ky që nuk zënë vend këtu tek ju”, tha Kusari-Lila.
Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së tha se pas shqyrtimit të të gjitha komenteve brenda këtij muaji, do të dalin me vendimin përfundimtar për tarifat e reja të energjisë elektrike.
https://www.youtube.com/watch?v=NlPZRmBIE3Y
klankosova.tv
●●●
HSHKRIMI NGA
H.S
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.