Drejtori i Departamentit për Siguri Euro-Atlantike nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar, Nick Gurr, ka vizituar Ministrinë e Mbrojtjes në Prishtinë.
Ai ishte i shoqëruar edhe nga ambasadori britanik, Rruari O’Conell, atasheu i Mbrojtjes, nënkoloneli Andy Layton dhe këshilltari britanik i Komandantit të FSK-së, nënkoloneli Jake White, njofton Klan Kosova.
Ai u prit nga ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Rrahman Rama.
Në këto takime u bisedua për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e deritanishëm si dhe perspektiven e këtyre marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, respektivisht ministrive të Mbrojtjes të dy vendeve tona.
Berisha ka falënderuar Gurr për përkrahjen politike të Britanisë së Madhe në procesin para dhe gjatë transformimit të FSK-së në ushtri.
Ai gjithashtu ka njoftuar atë me ecurinë e zbatimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së dhe rezultatet konkrete gjatë fazës së parë 120 ditëshe, pas hyrjes në fuqi të ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.
Ministri kërkoi që përkrahja britanike të intensifikohet edhe më tej duke reflektuar nevojat e FSK-së me mision të ri.
Gurr uroi fillimisht popullin e Kosovës për 20 vjetorin e hyrjes së trupave të KFOR-it.
Ai tha që edhe pas BREXIT-it, rajoni i Ballkanit dhe Kosova në veçanti do ta ketë vëmendjen e Britanisë së Madhe.
“Britania e Madhe do të jetë edhe më e angazhuar duke qenë zë i fuqishëm i Kosovës në qëllimin e saj për anëtarësim në NATO do ta thellojë bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes dhe do ta vazhdoj përkrahjen në tranzicionin e FSK-së”, tha ai.
Në takim, Berisha shprehu gatishmërinë e FSK-së për të marrë pjesë në misione paqeruajtëse në botë.
●●●
ABSHKRIMI NGA
A. BA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.