Avokati i njohur kosovar, Taulant Hodaj, pritet të jetë kandidat për president të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Burime të sigurta pranë Hodajt i kanë konfirmuar Gazetës Express se zyrtarizimi i kandidaturës së tij do të bëhet brenda dy ditësh.
Hodaj, i cili për një periudhë ka ushtruar detyrën e sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, pritet ta sfidojë presidentin aktual Agim Ademi, me të cilin dikur kishte bashkëpunim të ngushtë brenda institucionit të futbollit kosovar.
Në një prononcim për Gazetën Express, Hodaj ka vënë theksin te çështja e Statutit, duke bërë të qartë se kandidimi i tij lidhet drejtpërdrejt me harmonizimin e tij me kërkesat institucionale dhe ndërkombëtare.
“Do e bëj prononcimin së shpejti rreth kandidimit pas harmonizimit të Statutit, ashtu siç është kërkuar nga Ministria, UEFA dhe FIFA,” ka deklaruar Taulant Hodaj për Gazetën Express.
Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës është paraparë të mbahet më 5 shkurt, por mbetet e paqartë nëse do të zhvillohet në këtë datë. Në rast se Statuti nuk harmonizohet, kuvendi mund të shtyhet ose edhe të shpallet i pavlefshëm nga Ministria e Sportit.








