Presidenti i FFK-së, Agim Ademi shprehet optimist për kualifikimin e Kosovës në Euro 2020 përmes Ligës së Kombeve. Ndërkohë, ai e sheh të vështirë kualifikimin në Botërorin 2022 përmes këtij formati të Ligës së Kombeve
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi thotë se është i fokusuar totalisht në fazën finale të Ligës së Kombeve, shkruan Gazeta Express.
Kosova do të luajë në gjysmëfinale të “Play-Offit” kundër Maqedonisë së Veriut më 26 mars.
Edhe pse është i pranishëm në hedhjen e shortit të Ligës së Kombeve për Botërorin 2022, kreu i futbollit kosovar thotë se më shumë po mendon për kualifikimin eventual në Euro 2020, që do të ishte një mrekulli për “Dardanët”.
“Ajo ndeshje me Maqedoninë e Veriut është kryesore për ne sepse na sjell në Evropian. Sot për sot nuk ka kundërshtar të lehtë. Ne do të shkojmë me optimizëm për të shkuar në finale dhe për t’u kualifikuar në Evropian”, ka thënë Ademi për Super Sport.
Ai më pas ka folur edhe për shortin e sontëm, ku Kosova do të jetë pjesë e Ligës C, pas suksesit që e pati në Ligën D paraprakisht.
Ai nuk shprehet shumë optimist për kualifikim në Botërorin 2022 përmes Ligës së Kombeve.
“Është një format interesant i garave. Do të luhen ndeshje jashtëzakonisht të mira, shpresoj ta kemi fatin e mirë në këtë lojë. Në kualifikimet e fundit nuk kishim shumë fat, shpresoj të kemi tash. Nuk shpresojmë shumë në kualifikim (në Botëror 2022 përmes Ligës së Kombeve) sepse vetëm tri ekipe të Ligës së Kombeve kualifikohen nga kjo ligë. Megjithatë, ne do të provojmë, pasi futbollit nuk i dihet kurrë, në futboll nuk ka kurrë asgjë 100 për qind”, përfundoi Ademi. /Gazeta Express/








