Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka qenë prezent sot në ndeshjen e Bundesligës mes Hoffenheimit dhe Heidenheimit, ku në fushë u paraqitën plot pesë futbollistë kosovarë.
Tek Hoffenheimi u aktivizua treshja e Kombëtares, Albian Hajdari, Leon Avdullahu e Fisnik Asllani, kurse për Heidenheimin luajtën dy futbollistët të cilët po i ndjek Kosova, portieri Diant Ramaj dhe mesfushori ofanziv, Arijon Ibrahimoviç.
Dhe, "Gazeta Express" nga burimet e saj të sigurta merr vesh ekskluzivisht se kreu i FFK-së, i cili ishte i shoqëruar edhe nga kryetari i Dardanëve, Lulzim Berisha - Luli, është takuar me dyshen Ramaj - Ibrahimoviç, krahas treshes Hajdari - Avdullahu - Asllani.
Dhe, ky burim i ka thënë gazetës se takimi ishte pozitiv dhe shpresëdhënës.
Më vonë, Ademi e bëri një postim në llogarinë e tij në rrjetet sociale duke e shprehur hapur kënaqësinë që i pa në fushë njëkohësisht në një ndeshje të Bundesligës plot pesë futbollistë kosovarë, ndërkohë qe tha se shpreson që t'i shohë edhe Ramajn dhe Ibrahimoviçin në fanellën Dardane.
"Express" tutje merr vesh se Ibrahimoviç është më afër Kombëtares së Kosovës sesa Ramaj, i cili ndërkohë po e pret edhe Kombëtaren e Gjermanisë. /Gazeta Express








