I pari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka zbuluar detaje rreth bisedimeve për koalicion në mes të LV-së dhe LDK-së
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh edhe kryetar i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka bërë me dije se negociatat me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), për bashkëqeverisje kanë mbetur te posti i kryeparlamentarit.
Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e Re”, Bahtiri ka thënë se LDK-ja po këmbëngul që t’i kthehet ky post.
Sipas Bahtirit, Lëvizja Vetëvendosje, në këmbim të këtij posti i ka ofruar LDK-së Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Ai e ka ftuar liderin e LDK-së, Isa Mustafa, që të reflektojë në këtë drejtim, duke shtuar se çështja e postit të kryetarit të Kuvendit është mbyllur tashmë. Bahtiri ka paralajmëruar se nuk do ta presin shumë LDK-në.
Bahtiri ka thënë se shumë shpejt Këshilli i Përgjithshëm i Vetëvendosjes do t’i japë drejtim kësaj çështjeje.








