Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, la të nënkuptohet se me partinë e Albin Kurtit nuk kanë bërë punë as negociatat disajavore, pasi që nuk është hequr dorë ende nga kushti për postin e presidentin. Nënkryetari i parë i LDK-së thotë se nëse VV-ja vlerëson se ka hapësirë për t’u parë, atëherë këta janë të gatshëm, raporton Gazeta Express.
Veliu ka thënë se nuk e di nëse sot do të ketë takim tjetër në nivel të liderëve, derisa ka shtuar se mbetet në dorë të Vetëvendosjes nëse e vlerëson se kanë hapësirë për t’u takuar sërish.
“Nuk e di a do të ketë sot takim, sepse ne sot jemi të angazhuar me aktivitete, por, kurdo që VV e vlerëson se ka hapësirë ende për t'u takuar, ne jemi të gatshëm të bisedojmë”, thotë ai.
Nënkryetari i LDK-së ka deklaruar se nuk i takon VV-së që ta marrë edhe postin e presidentit edhe atë të kryeministrit, e që për këtë çështje nuk do të lëshojnë pe.
“Nuk po bisedohet këtu për lëshuarje pe, po kjo është një kërkesë e LDK-së sepse ne mendojmë që ky pozicion në këtë raport forcash i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse edhe presidenti edhe kryeministri t'i takojë një subjekti në këtë raport të forcave është e tepër”, shton Veliu.
Tutje, ai ka thënë se çështja e presidentit është vendim me të cilin janë pajtuar në të gjitha organet e partisë.
“Ne jemi duke biseduar, jemi duke bërë përpjekje që ta gjejmë një zgjidhje, e kemi diskutuar në organet e LDK-së dhe dominon mendimi që LDK të ketë propozimin e një kandidati për president, e pastaj VV-ja ta marrë një zotim se do ta përkrahë atë kandidat që e kandidon LDK”, thotë ai.
Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shtuar se deri më tani nuk kanë ndonjë emër për personin që në vitin 2021 do të propozojnë për president, nëse arrijnë që të dakordohen me VV-në.
“Po ju them sinqerisht LDK-ja nuk ka emër për president sot, kur të vjen koha ne do ta bëjmë publik edhe emrin”, ka thënë ai. /GazetaExpress/








