Katër aktivistë të Partisë Progresive Serbe (SNS), të cilët një vit më parë rrahën rëndë një studente në Novi Sad, sot paraqiten si palë e dëmtuar, duke pretenduar se u është cenuar privatësia pasi janë fotografuar në një stacion policor.
Sipas javores Vreme, rasti daton nga viti i kaluar, kur pas sulmit ndaj studentes – e cila përfundoi në spital – Qeveria e Serbisë u rrëzua dhe kryeministri i atëhershëm, Millosh Vuçeviq, dha dorëheqjen. Katër aktivistët u paraqitën vetë në polici, ndërsa disa muaj më vonë u falën nga presidenti Aleksandar Vuçiq, raporton N1.
Edhe pse procedura gjyqësore për rrahjen ende nuk ka përfunduar, katër të përfshirët tashmë janë shfaqur në rolin e viktimave. Ata kanë ngritur kallëzim penal kundër policit Zheljko Kolbas, duke e akuzuar se i ka fotografuar gjatë qëndrimit të tyre në stacionin policor.
Sipas pretendimeve, fotografia më pas u publikua nga deputetja Marinika Tepiq, çka çoi në identifikimin e shpejtë të katër aktivistëve nga opinioni publik. Pas publikimit, polici Kolbas u ndalua nga autoritetet.
Në Prokurorinë Themelore Publike në Novi Sad aktualisht po zhvillohet faza e mbledhjes së provave dhe pritet marrja në pyetje e katër personave që tani figurojnë si të dëmtuar.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur edhe procedurë disiplinore ndaj policit Kolbas, për dyshime për shkelje të rëndë të detyrës zyrtare, ku si masë më e rëndë parashihet largimi nga puna.
Sipas Vreme, paradoksi i këtij rasti është i qartë: katër aktivistët e falur nga presidenti vazhdojnë procedurat si palë e dëmtuar, ndërsa në bankën e të akuzuarve mund të përfundojë polici që i fotografoi ata.
“Kaq për të drejtën dhe drejtësinë”, ka deklaruar për Vreme ish-polici Goran Stupar, tani avokat i Zheljko Kolbasit.








