Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se kreu i kësaj partie, Albin Kurti, do të takohet me përfaqësues të minoritetit serb, raporton Gazeta Express
Në një përgjigje për Express nga zyra për media kanë njoftuar se ky takim vjen në kuadër të bisedimeve për krijim të qeverisë së re, mirëpo nuk janë dhënë detaje për orën se kur do të mbahet takimi.
“Kryetari Albin Kurti, në kuadër të bisedimeve për të krijuar qeverinë, përveç diskutimeve intensive me partnerin kryesor qeverisës, LDK-në, do të takohet edhe me përfaqësuesit parlamentarë të minoriteteve, përfshirë edhe minoritetin serb”, thuhet në përgjigjen e LV-së.
Me minoritetin serb, LV-ja ka njoftuar se do të diskutojnë për programin qeverisës si dhe për ministrinë që sipas Kushtetutës do të drejtohet nga dikush prej minoritetit serb.
“Me këta të fundit do të diskutohet programi qeverisës sidomos në fushat që kanë impakt në jetën e këtij komuniteti. Po ashtu do të diskutohet edhe për propozimet e z. Kurti sa i përket drejtuesit të ministrisë që do të drejtohet nga dikush prej minoritetit serb, siç garanton kushtetuta”, shkruhet në përgjigje. /GazetaExpress/








