Lideri i LV-së, Albin Kurti, ka refuzuar ftesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për takim, raporton Gazeta Express.
LV-ja kanë bërë të ditur për Express se ftesa e Thaçit ka arritur në selinë e LVV-së sot, pak para orës 11:00, dhe se Kurti e ka sot të pamundur ta takojë presidentin e vendit.
Kjo pasi që, sipas Vetëvendosjes, Kurti sot ndodhet jashtë Prishtinës. Tutje, shkruhet se ai së shpejti do ta njoftojë Thaçin për ditët e orët e mundshme të takimit.
“Pak pas orës 11:00, në selinë e LVV, sot erdhi letra e Presidentit të Kosovës për një takim po ashtu sot në ora 13:30, me Kryetarin e LVV, Albin Kurti. Kryetari Kurti e ka sot të pamundur ta takoj Presidentin, meqenëse ndodhet jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë së shpejti Presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit”, ka thënë VV-ja.
Ndryshe, sot presidenti Thaçi e ka ftuar Kurtin për takim në orën 13:30 në Presidencë.
“Ju ftoj që të merrni pjesë në takim konsultativ për caktimin e mandatit për formimin e qeverisë. Në pajtim me Nenin 84 (14) dhe Nenin 95.1. të Kushtetutës së Kosovës do të ndërmarrë hapat e përcaktuar në Kushtetutë për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë”, thuhet në ftesën e Thaçit dërguar Kurtit. /GazetaExpress/








