Ambasadori Britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, i ka përgëzuar ekipet nga Kosova për, siç ka thënë, heroizmin dhe përkushtimin e tyre për të shpëtuar jetë, derisa rrezikonin jetën e tyre në Shqipëri, raporton Express.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Abbott ka thënë se ka pasur një përgjigje të shkëlqyer dhe të shpejtë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës ndaj situatës në Shqipëri.
“Këtë javë, ne të gjithë kemi parë skenat tragjike, pas një numri të tërmeteve shkatërruese që ndodhën në Shqipëri. Bashkëndiejmë me viktimat dhe familjet e tyre. Ne po ashtu kemi parë një përgjigje të shkëlqyeshme dhe të shpejtë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Unë dua të përgëzoj ekipet nga Kosova për heroizmin dhe përkushtimin e tyre për të shpëtuar jetë derisa rrezikonin jetën e tyre”, ka shkruar Abbott.
Ndryshe, mëngjesin e së martës, Shqipëria u godit nga një tërmet 6.4 ballë me epiqendër në Durrës. Nga ky tërmet deri më tani kanë humbur jetën 49 persona, ndërsa qindra të tjerë janë lënduar.
Dy nga viktimat ishin nga Kosova. Isa dhe Shemsedin Abazi mbetën të vdekur në rrënojat e njërit nga hotelet e Durrësit.
Qeveria e Kosovës për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptar ka dërguar një kontingjent të policisë dhe ushtrisë, si dhe po ashtu ka ndarë një fond prej 500 mijë euro. /Gazeta Express








