Qendërmbrojtësi i Napolit dhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka pësuar një lëndim gjatë përballjes kundër Sassuolos, duke ngritur shqetësime serioze në kampin e skuadrës së drejtuar nga Antonio Conte.
Rrahmani ishte titullar si zakonisht dhe po zhvillonte një paraqitje solide në repartin defensiv, por në minutën e 67-të u detyrua të lëshojë fushën për shkak të një problemi muskulor.
Futbollisti u pa duke mbajtur pjesën e pasme të këmbës, çka lë të dyshohet për një dëmtim muskulor, megjithatë diagnoza e saktë ende nuk është konfirmuar.
Mbrojtësi kosovar pritet t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore brenda orëve në vijim, të cilat do të përcaktojnë shkallën e lëndimit dhe kohën e mungesës nga fushat.
Një mungesë e mundshme e Rrahmanit do të përbënte një goditje të madhe për Conten, pasi ai konsiderohet një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes dhe një lider në fushë. /GazetaExpress








