Historiani dhe analisti politik serb Dragomir Anxhelkoviq vlerëson se ndryshimet e fundit ligjore në Serbi nuk janë reforma të vërteta, por mjete presioni dhe pazari politik të Aleksandar Vuçiçit, si ndaj Bashkimit Evropian, ashtu edhe ndaj qytetarëve dhe opozitës.
Sipas tij, Vuçiç është i vetëdijshëm se mbështetja publike për të është rrënuar dhe se një pjesë e aparatit shtetëror nuk i bindet më verbërisht. Për këtë arsye, ai po ndryshon mekanizmat e pushtetit dhe po i zëvendëson lojalistët e pasigurt me njerëz që, siç thotë Anxhelkoviq, “e dinë se nëse Vuçiçi bie nga pushteti, përfundojnë në burg”.
Anxhelkoviq thekson se Vuçiç sot qeveris përmes frikës, por se nuk është i sigurt nëse policia dhe ushtria do të ishin të gatshme të përdornin represion masiv kundër qytetarëve.
Paralajmërimi më i fortë i analistit është se Vuçiç po planifikon seriozisht të largohet nga Serbia, por vetëm nëse arrin ta bëjë këtë pa gjakderdhje.
“Nëse do të derdhej gjak seriozisht, shumë dyer do t’i mbylleshin. Ai dëshiron një dalje të butë, me garanci”, shprehet Anxhelkoviq.
Sipas tij, situata në Serbi i ngjan më shumë Armenisë sesa Bjellorusisë, pasi Vuçiç nuk ka më as mbështetje të qëndrueshme minoritare. Ai paralajmëron se një përpjekje për riciklim pushteti apo ndryshim të Kushtetutës mund të jetë moment fatal për regjimin.
Anxhelkoviq u bën thirrje qytetarëve të mos demoralizohen, duke theksuar se energji protestuese ekziston dhe se një fitore e dyshimtë në zgjedhje mund të shkaktojë shpërthim protestash në mbarë Serbinë. /N1








