Kualifikimi në Botërorin 2026 i ka transformuar lojtarët dhe stafin teknik të Arabisë Saudite në heronj të vërtetë kombëtarë.
Nën drejtimin e trajnerit Herve Renard, ky ekip kombëtar e siguroi pjesëmarrjen në garën që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada dhe në Meksikë nga 11 qershori deri më 19 korrik.
Dhe, shpërblimet për këtë arritje ishin të pashmangshme, shkruan “Gazeta Express”.
Sipas të së përditshmes ekonomike “Asharq Business”, çdo lojtar e ka marrë nga një super-bonus prej 5 milion Riyal sauditë, rreth 1,15 milion euro për kokë lojtari.
Njëri prej njerëzve më të gëzuar ishte Abdulaziz bin Turki Al Faisal, ministër i sportit saudit, i cili e ka premtuar personalisht shpërblimin për kualifikimin historik.
Rrugëtimi i skuadrës u karakterizua me një rikthim fantastik të ekipit me rikthimin në bankinë të Renard, pas një faze të vështirë nën drejtimin e Roberto Mancinit.
Sigurimi i pjesëmarrjes në Botëror u zyrtarizuar me barazimin 0:0 kundër Irakut në kualifikimet aziatike për Kupën e Botës.
Kjo do të jetë hera e gjashtë që Arabia Saudite merr pjesë në një Kupë të Botës, e treta radhazi.
Në Botërorin 2022, i cili u mbajt në Katar, Arabia Saudite ishte befasia më e këndshme pasi e kishte mundur Argjentinën me rezultat 2:1, e cila më pas e kishte fituar këtë trofe.
Me kualifikimin dhe shpërblimet e kënaqshme, Arabia Saudite po e demonstron se si futbolli mund ta bashkojë vendin dhe ta motivojë ekipin, duke e përgatitur terrenin për një Botëror që premton shumë emocione. /Gazeta Express








