Zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, ka reaguar pas debatit në emisionin Pressing lidhur me zhvillimet e fundit rreth takimeve pa marrëveshje të VV’së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Zaimi ka vazhduar të akuzojë mediat për spekulime duke thënë se ato nxiten nga një dëshirë fëminore apo kumarxhiu.
“Spekulimet duhet të ndalen, sepse janë të pavërteta. Një pjesë e tyre nxiten nga një dëshirë fëminore apo dëshirë prej kumarxhiu për ta ditur se kur e nga kush do të shënohet goli para se ai të kryhet”, ka shkruar Zaimi në Facebook.
Ai madje tha se këto “spekulime”, janë qëllimkëqija sepse po e pengojnë marrëveshjen.
“Një pjesë e madhe e spekulimeve janë me qëllime të këqija, për të penguar marrëveshjen, apo për t’ia lënë fajin atij që s’e ka”, shkruan Zaimi.
Zajmi thotë se nuk janë ofruar as kërkuar më shumë apo më pak se pesë ministri, e as nuk ka pasur diskutime për kryetarin e Kuvendit.








