Ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit asnjë përfaqësues i lartë politik nga Serbia nuk është ftuar apo nuk është deklaruar publikisht se ka marrë ftesë për të marrë pjesë në Lutjet Tradicionale të Mëngjesit në Uashington, që mbahen nga 4 deri më 6 shkurt.
Sipas raportimit të medias N1, ftesat nuk kanë shkuar në adresat e figurave kryesore të politikës serbe, ndërsa disa ish-ambasadorë të Serbisë në SHBA e cilësojnë këtë aktivitet si të mbivlerësuar dhe më shumë simbolik, që shpesh përdoret për vetëpromovim në politikën e brendshme.
Burime të N1 bëjnë të ditur se ftesa kanë marrë vetëm disa individë jashtë politikës aktive shtetërore, përfshirë përfaqësues të shoqërisë civile dhe diplomacisë, por jo figura kyçe të pushtetit në Beograd.
Sipas ish-diplomatëve serbë, mungesa e emrave të rëndësishëm politikë këtë vit mund të lidhet edhe me ftohjen e marrëdhënieve politike mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.








