Në një shkrim të para dy ditëve, si rrallë herë më parë, Mero Baze hapi një temë mjaft të ndjeshme për debatin publik, raportin e individit me pronën në përgjithësi dhe në veçanti me palcën e pronës, tokën.
Sebepi ishin protestat e banorëve të zonës së “5 Majit”- Tiranë dhe personazhi më i spikatur i tyre Nënë Liza, një grua e moshuar, me veshje tradicionale të veriut, që shfaqet kudo.
Heroina e medias, opozitës dhe protestuesve, sipas Bazes, është një komuniste e thekur në mentalitet pasi kërkon të drejtën e vet të përfituar përmes një arbitrariteti ligjor si zaptimi i tokës së pronarit. Baze është kryekëput kundër heroizimit të Nënës në fjalë që guxon e kërkon të drejtën e vet duke ngritur, me shumë të vend sipas meje, të drejtën e pronarit të vjetër të tokës!
Shumë bukur! Më në fund, dikush po kujtohet për pronarin e ligjshëm. Zëra të tillë që kërkojnë të drejtën janë krejt të rrallë e të mbytur në hallakamën e madhe të zaptuesve që kërkojnë të drejtat e veta mbi tokën e tjetrit. Vetë kam qenë shumë pro kësaj që po shkruante Mero, shumë vjet të shkuara. Mu desh ta kërkoj një fejton që pata shkruar mbi 8 vjet më parë për këtë qëllim. Jam me pronarin e tokës në çdo rast kur ndërtimi është bërë në tokë private. Edhe me kritikën e Meros që Nënë Liza nuk është shembulli që duhet sjellë dhe as heroina që duhet duartrokitur. Përkundrazi, në një shtet të së drejtës ajo është kundërvajtësi që duhet gjobitur. Deri këtu jam ok me Meron dhe të vërtetat që ai shkruante.
****
Mirëpo të nesërmen e atij shkrimi, Mero bën një tjetër shkrim me të njëjtën temë. Aty na njeh me "heroinën e vërtetë", pronaren e tokës në "5 Maji", deputeten e heshtur të PS-së Klotilda Ferati, Kryetare e Komisionit të Ligjeve në Parlament.
Deputetja martire po sakrifikonte pronën e saj për hir të kauzës politike. Sipas gazetarit, deputetja po bën mirë që nuk po e ngre zërin, pozicioni politik e mbyt instiktin e pronës së trashëguar. Ajo është viktima e heshtur e një opinioni mjaft të gjerë por zëmbytur që mban në kurriz zaptuesit zhurmëmëdhenj. Mero e kishte zbuluar “rastësisht” këtë pronare, pas shkrimit të parë të para disa orëve. Pasi thotë “mirë ka bërë”, pak më poshtë thotë që ngjan me personazhin e famshëm kinez, njeriun e mirë Lej Fen. Nuk është se nuk shkojnë bashkë Lej Feni dhe përcaktori “i mirë” por Mero po ngrinte një problem që është thelbi i kapitalizmit, raporti me pronën, ndaj, krahasimi me Lejfenin nuk mund të ishte pozitiv.
Sigurisht, edhe këtu nuk mund të rrinte pa dalë në pah Sali Berisha dhe dashuria e tij për banorët e "5 Majit". Besoj se pranëvënia e Lejfenes Klotildë me njeriun e kaosit urban të Shqipërisë, Sali Berisha, ishte edhe qëllimi i vërtetë i atij shkrimi. Çdo gjë të drejtë që kishte shkrimi i parë e hidhte poshtë i dyti. Jo se nuk qëndronte në tërësi por se dukej i sponsorizuar politikisht, si ato reklamat e dobëta e idiote në seriale televizive.
Sali Berisha ka qenë udhëheqës i Shqipërisë nga vitet 92 deri në 97. Pastaj ka qenë për 8 vjet një qeveri socialiste. Vërtetë Berisha nuk bëri atë që pritej prej tij në raport me tokën dhe i dha rrugë një kaosi urban. Por këtë fenomen nuk e penguan aspak pasardhësit e tij ish komunistë. Zaptimet e “Nua Rrokut” vazhduan me të njëjtin ritëm edhe në atë kohë.
Për hir të së vërtetës, vetëm Kryeministri i sotëm ka qenë kundër “bathorizimit” apo ndërtimit pa plan për sa kohë ai ishte në Opozitë. Por, sapo pregatitej të merrte pushtetin, në vitin 2012, deklaroi se sapo të vinte në pushtet “do të legalizonte të gjitha shtëpitë e ndërtuara, madje, do ua bënte legalizimin falas”.
Ky ka qenë një premtim elektoral që e tejkalonte edhe ato të Berishës. Pra, ndryshe nga një njeri që zbaton ligjin duke ndërtuar shtëpi me leje,mes 100 hallesh dhe procedurash ligjore, i cili duhet të presë radhën e të paguajë regjistrimin në Kadastër, Zaptuesi ynë e ka regjistrimin falas, madje, tapitë e shtëpive ua dorëzon me ceremoni televizive vetë armiku më i madh i kaosit urban, Edi Rama! Janë të njohura botërisht ceremonitë e dorëzimit të tapive të shtëpive me dekore, kamera e batuta përtallëse për “demokratët” që Kryeministri i njihte nga mustaqet, veshjet apo qëndrimi.
Pra, ky idhtari i planifikimit urban i përkëdheli Zaptuesit me pekule shtetërore duke rritur peshën specifike të tyre ndaj pronarit të ligjshëm. Shumë prej nesh që e quajtëm të shenjtë pronën e tjetrit dhe jetuam në kushte të vështira, me qera të larta banimi, u ndjemë budallenj. Mendonim se kur të vijë Shefi i Madh i Rregullit do na prishte shtëpitë e do na degdiste në qiell të hapur. Por jo. Shef i Madh na doli Zaptuesi, ai i zbythi të gjithë. Derisa sot kërkon edhe metrat katrorë siç i ka pasë deri më një.
Kjo është arsyeja e vërtetë sepse Klotilda e Ligjeve nuk ka të drejtë të ngrejë zërin. Jo se është Lejfene e mirë por se Shefi i saj ka zgjedhur të jetë me Zaptuesin. Si të tjerët para tij. Ai është kundër Zaptuesit vetëm kur ky është i pakët në numër dhe bie ndesh me ambiciet urbanistike të Kryeministrit. Aty ai nuk të fal. Kur vjen puna te Boerët, Casamontët apo Inglesët, Kryeministri kujtohet për të drejtat e pronarëve.
E bën këtë nëpërmjet Meros sigurisht. Por tani, si thotë populli, e ka marrë ferra uratën Mero.








