Mbrojtësi i Manchester United, Ayden Heaven, ka treguar ambicie të mëdha pas fitores 1-0 ndaj Newcastle në “Old Trafford” në Boxing Day, duke deklaruar se skuadra e Ruben Amorim mund të synojë edhe titullin e Premier League këtë sezon.
“Djajtë e Kuq” siguruan tri pikët falë një supergoli të Patrick Dorgut në minutën e 24-të, ndërsa në pjesën e dytë u detyruan të mbroheshin me vendosmëri përballë dominimit të mysafirëve. Heaven, ende adoleshent, ishte një nga figurat kryesore në prapavijë dhe u shpall lojtari i ndeshjes.
Pas takimit, Heaven u shpreh plot besim:
“Është shumë e madhe për ne. Më në fund një ndeshje pa pësuar gol, kemi pritur prej javësh për këtë. Si Manchester United, ne i përkasim Evropës dhe duam të rikthehemi atje sezonin e ardhshëm. Mund të luftojmë për top katërshen, ndoshta edhe për titullin. Çdo gjë është e mundur.”
Ai shtoi gjithashtu se skuadra ka besim të plotë te trajneri Ruben Amorim:
“Luajmë me shumë formacione, por çfarëdo që vendos trajneri, ne e dimë se do të funksionojë.”
Fitorja ka marrë vlerësime edhe nga legjenda e klubit, Roy Keane, i cili theksoi rëndësinë e aspektit mbrojtës:
“Nëse dëshiron të ecësh përpara si klub, duhet të jesh solid në mbrojtje dhe të mbash portën e paprekurë. United u mbrojt me krenari dhe kjo është mënyra si ndërtohet momentumi.”
Manchester United vazhdon kështu ngjitjen në tabelë, ndërsa optimizmi dhe besimi te lojtarët e rinj po rritet ndeshje pas ndeshjeje. /GazetaExpress








