Barcelona u rikthye më në fund në “Camp Nou” në muajin nëntor, pas 2.5 vitesh larg nga stadiumi i saj, plot një vit me vonesë nga afati i parashikuar. Megjithatë, ende ka shumë punë për t’u bërë që “Spotify Camp Nou” të rikthehet plotësisht funksional.
Fillimisht, Barcelona ishte planifikuar të kthehej në nëntor të vitit 2024, pas 18 muajsh në Montjuïc. Pavarësisht se klubi deklaroi se do të rikthehej në “Camp Nou” në fillim të këtij sezoni, gjigantët katalanas nuk i kishin përmbushur ende kërkesat e Këshillit Bashkiak për rihapjen e stadiumit. Deri tani, Barcelona ka arritur fazën 1B të rihapjes, me 46 mijë tifozë të lejuar në tri anët e dy niveleve të para të tribunave.
Niveli i tretë pritej të bëhej funksional në fillim të sezonit të ardhshëm, por kjo do të kërkonte një ritëm të jashtëzakonshëm pune për të kompensuar kohën e humbur.
Faza e radhës e rikthimit të Barcelonës përfshin rihapjen e tribunës pas “Gol Nord”, e cila do ta rriste kapacitetin nga 46 mijë në 62 mijë vende. Sipas MD, Këshilli Bashkiak po pret dokumentacion më të detajuar nga klubi për të dhënë licencën për këtë hap, ndërsa vonesat mund të bëjnë që faza 1C të mos hyjë në funksion deri në mes të shkurtit, edhe një muaj më vonë nga plani aktual.
Fillimisht, Barcelona shpresonte ta rihapte tribunën “Gol Nord” për ndeshjen e parë në shtëpi të vitit 2026, kundër Real Oviedos më 25 janar. Megjithatë, me këtë situatë, rikthimi nuk pritet të ndodhë para 21 ose 22 shkurtit, në ndeshjen kundër Levantes.
Ndërkohë, RCD Mallorca do të vizitojë “Camp Nou” më 7/8 shkurt në La Liga, ndërsa Copenhagen do të luajë aty më 28 janar. Këto ndeshje do të zhvillohen pa kapacitetin e zgjeruar, përfshirë edhe një çerekfinale ose gjysmëfinale të mundshme të Kupës së Mbretit (ndeshja e parë), si dhe një përballje të mundshme “play-off” në Ligën e Kampionëve.








