Barcelona ka kaluar në fazën e eliminimit direkt në Ligën e Kampionëve për sezonin e 13-të radhazi, pas fitores 3:1 kundër Borussia Dortmund të mërkurën mbrëma.
Skuadra e Ernesto Valverdes është tani edhe zyrtarisht e pakapshme në krye të Grupit F dhe do ta zhvillojë ndeshjen e fundit në grup kundër Interin vetëm sa për prestigj, transmeton Gazeta Express.
Kjo mund të jetë e dobishme për gjigantin katalonas, sepse ndeshja në Giuseppe Meazza do të zhvillohet vetëm një ditë para El Clasicos kundër Real Madridit.
Me tri fitore dhe dy barazime në Evropë deri tani këtë sezon, Barcelona ka treguar formën më të mirë në Ligën e Kampionëve këtë sezon.
Edhe pse nuk ka për çfarë të luajë kundër Interit, Barcelona mund ta shkruajë historinë me një fitore.
Barça nuk e ka mposhtur Interin në Meazza asnjëherë në Ligën e Kampionëve, pasi ka barazuar tri herë dhe ka humbur një herë tjetër në katër ndeshje deri tani. /Gazeta Express/








