Barcelona ka të ngjarë të mos bëjë asnjë lëvizje në merkaton e janarit, por mbetet e mundur që klubi të tentojë një afrimi për të përmirësuar skuadrën e Hansi Flick.
Klubi vazhdon të jetë në vështirësi të mëdha financiare, por mund të bëhet e nevojshme që të sjellin të paktën një lojtar në “Spotify Camp Nou”.
Më herët këtë javë, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, e la të hapur mundësinë për një ose dy afrime në janar, dhe sipas asaj që raporton “Sport”, përpjekjet do të rriten në varësi të mënyrës se si do të zhvillohet situata me Ronald Araujo.
Araujo aktualisht po qëndron larg futbollit, pasi ka kërkuar nga Barcelona t’i japë mundësinë të rikuperohet “mendorisht” pas disa javëve të vështira – ku përfshihet edhe kartoni i kuq në humbjen 3-0 ndaj Chelseat në Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, Hansi Flick ka mbetur pa njërin prej mbrojtësve më të rëndësishëm, ndaj po merren masa për të qenë gati nëse kërkohet një zëvendësues.
Sipas raportit, vendimi final për të dalë në merkato do të varet edhe nga situata e dëmtimeve deri në fund të vitit.
Aktualisht, Flick ka në dispozicion Pau Cubarsi, Eric Garcia, Andreas Christensen dhe Gerard Martin, por nëse ndonjëri prej tyre dëmtohet, gjasat për të firmosur me një qendërmbrojtës të ri do të rriteshin.
Për momentin, Flick duket i kënaqur të përdorë Cubarsi dhe Martin si dyshe të qendrës së mbrojtjes, meqë të dy kanë bërë paraqitje të mira së bashku në ndeshjet e fundit.
Eric Garcia gjithashtu ka luajtur në atë rol disa herë këtë sezon, ndaj aktualisht ka mbulim të mjaftueshëm. Megjithatë, ka shumë gjasa që situata të ndryshojë para hapjes së merkatos së dimrit në fillim të muajit të ardhshëm./GazetaExpress/








