Nuk ka pushim për Superligën e Kosovës në basketboll, në mesjavë zhvillohet xhiroja e 26-të.
Ndeshja kryesore e kësaj mesjave do të jetë mes Bashkimit e Sigal Prishtinës, shkruan Gazeta Express.
Me fitoren xhiron e kaluar ndaj Prizrenit, Bashkimi e ka siguruar një vend për në “Play Off”.
Në anën tjetër, Prishtina në tri xhirot e mbetura do kërkojë të shkojë më lartë se vendi i katërt ku është momentalisht.
Kjo përballje luhet të mërkurën e bashkë me të edhe sfida mes Golden Eagle Yllit e Vëllaznimit. Që të dy skuadrat e kanë siguruar “Play Off-in”.
Ylli po lufton për pozitën e dytë, momentalisht është i tretit, kurse gjakovarët kërkojnë ta ruajnë vendin e pestë.
Të enjten luan lideri i Superligës, Trepça që e pret Prizrenin. Mitrovicasit edicionin e rregullt do ta mbyllin të parët në tabelë.
Kurse, prizrenasit tashmë i kanë humbur gjasat për “Play Off” dhe do të luajnë në barazh për të mbetur në elitë edhe për një sezon.
Skuadra më e dobët e këtij edicioni, Istogu që ka vetëm një fitore e pret Pejën super favorite.
Pejanët e kanë në dorë fatin e tyre për vendin e dytë, momentalisht janë aty, por kanë presion nga Ylli. /Gazeta Express/








