Pas fitores me përmbysje ndaj Trepçës ’89, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, e ka treguar planin përmes të cilit klubi podujevas synon të kualifikohet për edicionin e ardhshëm të garave evropiane.
Llapi i Tahir Batatinës arriti t’i marrë tri pikët e ndeshjes kundër Trepçës ’89, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Riza Lushta”, pasi që siguroi fitore me rezultat 2:1, raporton Gazeta Express.
Por, skuadra nga Llapi s’e pati të lehtë ta marrë këtë fitore, pasi që fillimisht kaluan në epërsi vendasit, përmes golit të shënuar nga Arb Manaj në minutën e 44-t.
Megjithatë, me dy golat të shënuar brenda dhjetë minutave të fundit (në minutën e 82-të shënoi Ymeri, në të 85-tën Egzon Krasniqi), podujevasit e përmbysën rezultatin dhe arritën ta marrin këtë fitore.
Llapi aktualisht radhitet në pozitën e gjashtë në tabelën e Ipko Superligës së Kosovës, me 31 pikë të fituara. Pasi që nuk është më në garë për Kupën e Kosovës, klubi nga Podujeva do t’i duhet të dalë të paktën në pozitën e dytë në tabelën e ligës për të dalë në Evropë, ku aktualisht radhitet Gjilani me 41 pikë.
“I kemi edhe 12 ndeshje për t’i zhvilluar dhe do të kërkojmë t’i fitojmë dhjetë prej tyre, pra t’i marrim 30 pikë. Kështu duam të dalim në Evropë”, tha Batatina, në një intervistë të dhënë për Supersport, pas ndeshjes kundër Trepçës ’89.
“Sot e treguam karakterin dhe forcën tonë”. /Gazeta Express/








