Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë mbledhur në Bruksel për një samit të jashtëzakonshëm mbi marrëdhëniet transatlantike, pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave dhe përpjekjeve për të marrë kontrollin e Grenlandës.
Me të mbërritur në takim, presidentët dhe kryeministrat evropianë kërkuan respekt të ndërsjellë në menaxhimin e aleancës BE–SHBA, duke përshëndetur tërheqjen e Trumpit nga kërcënimet.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, deklaroi se vendi i saj është i gatshëm të bashkëpunojë me SHBA-në për sigurinë e Grenlandës, por theksoi se sovraniteti nuk është temë diskutimi. “Një diskutim për statusin tonë si shtet sovran nuk mund të bëhet dhe nuk mund të ndryshohet,” tha ajo, duke shtuar se “vijat tona të kuqe janë rregullat tona demokratike”.
Sipas raportimeve të New York Times, marrëveshja e mundshme për Grenlandën përfshin krijimin e një misioni të ri të NATO-s në Arktik, përditësimin e marrëveshjes së vitit 1951 mes Danimarkës dhe SHBA-së, si dhe ndërtimin e bazave ushtarake amerikane në disa pjesë të Grenlandës. Raporti thekson se këto diskutime janë zhvilluar brenda NATO-s prej më shumë se një viti, por ende nuk ka asgjë përfundimtare.
Përveç marrëdhënieve BE–SHBA, në samit po diskutohet edhe “Bordi i Paqes” i Trumpit, për të cilin Franca, Italia dhe Suedia kanë shprehur rezerva dhe kanë sinjalizuar se nuk do të marrin pjesë për shkak të shqetësimeve ligjore dhe politike, raporton Euronews.








